VIDEO/ “Fanellën dhe gol në derbi”, tifozët me kërkesa speciale për Asllanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2023 | 0:05

VIDEO/ “Fanellën dhe gol në derbi”, tifozët me kërkesa speciale për Asllanin

Kristjan Asllani nuk ka gjetur hapësirat e mjaftueshme tek Interi pavarësisht se drejtuesit zikaltër kanë shprehur gjithmonë besimin e tyre te potenciali i elbasanasit. Gjithsesi, Simone Inzagi nuk e ka hedhur në fushë titullar që nga ndeshja me Parmën, kur mesfushori dhuroi një nga paraqitjet më të mira të tij me fanellën zikaltër në 120 minutat që ishte në fushë, me saktësi kirurgjikale në pasime dhe një kontrolli absolut të lojës në mesfushë.

KRISTJAN ASLLANI

Performanca i shërbeu edhe për të zënë një vend mes formacionit më të mirë të fazës së 1/8-ave të Kupës së Italisë, por po në të njëjtin kompeticion ndaj Atalantës të martën trajneri i besoi 20 minuta, po aq sa i kishte besuar në fundjavë ndaj Kremonezes. Pikërisht në ndeshjen e fundit në kampionat, kur Interi fitoi falë dopietës së Lautaros, 20-vjeçari shqiptar ishte ndër më të vlerësuarit e zikaltërve, edhe pse luajti pak.

Jo vetëm kaq, por përveç notave tejet pozitive të marra në përfundim të ndeshjes, Asllani u zgjodh edhe nga tifozët si lojtari i dytë më i mirë i sfidës, pas Lautaros. Besimi dhe komplimentet e tifozëve janë ato që në fund të ditës nuk i kanë munguar asnjëherë Kristjanit, pasi në Milanon zikaltër e kanë duartrokitur gjithmonë potencialin e tij, madje duke dalë edhe kundër trajnerit të tyre për aktivizimin e paktë.

TIFOZI – Një episod të ngrohtësisë së tifozëve, Asllani e ka përjetuar edhe pas ndeshjes me Atalantën kur është ndaluar jashtë kangjellave të “San Siro”-s nga një fëmijë i verbër, tifoz i zikaltërve, që i ka kërkuar fanellën. “Nuk e kam me vete, por të premtoj që herën tjetër do të ta dhuroj”, ishin fjalët e Asllanit, që përveç premtimit që bëri mori edhe një kërkesë tjetër në drejtim të tij.

“Duam gol në ndeshjen e ardhshme”, u shprehën tifozët ndaj tij, ashtu si në ditën e parë të prezantimit të tij në Milano. E ndërsa nuk e ka gjetur akoma golin e parë me zikaltrit, sfida e radhës është ajo me Milanin. Kushedi, ndoshta goli i parë dhe përmbushja e kërkesës së tifozëve mund të vijë në një sfidë speciale si derbi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"