VIDEO/ Bylisi feston në Korçë, Malçi dhe Miraka kualifikojnë skuadrën e Dovedan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 23:59

VIDEO/ Bylisi feston në Korçë, Malçi dhe Miraka kualifikojnë skuadrën e Dovedan

Bylisi kualifikohet në gjysmëfinale, ndërsa Skënderbeu mallkon rastet e shpërdoruara dhe eliminohet nga Kupa e Shqipërisë. Duket si një “deja vu” për korçarët dhe ballshiotët, të cilët u përballën edhe në vitin 2013 dhe sërish ishte Bylisi që u kualifikua për shkak të golit në fushë kundërshtare. Rezultati i djeshëm 1-1 në Korçë dhe fitorja 1-0 në ndeshjen e parë në Ballsh e dërguan ekipin e drejtuar nga Veljko Dovedan për herë të dytë në turin gjysmëfinal të Kupës gjatë dekadës së fundit. Tashmë ballshiotët ëndërrojnë sërish një finale, siç ndodhi 7 vite më parë, kur u mundën nga Laçi pas kohës shtesë. Dje ka qenë një ndeshje që i ka pasur të gjitha brenda, qoftë nga agresiviteti në fushë i lojtarëve dhe me korçarët super të karikuar, por edhe deri te kartonët e shumtë të verdhë dhe penalltia e dhënë nga Enea Jorgji, që u anulua pas 3 minutash. Në tërësi ishte një lojë shumë e luftuar, por me Bylisin që nuk u dorëzua. Goli i ganezit Mensah nuk mjaftoi, pasi korçarët shpërdoruan shumë raste, veçanërisht me Bregun. Heroi i Bylisit ishte Flosard Malçi, që shënoi pas vetëm dy minutash në fushë.Goli-i-Mensah-foto-logo

PJESA E PARË – Skënderbeu e nis me disa ndryshime në formacion, ku në stol kishin përfunduar Koliçi, Jashanica, Daja dhe Krasniqi. Me ganezin Mensah në majën e sulmit, trajneri bardhekuq kërkonte të shfrytëzonte shpejtësinë e tij dhe duelet në ajër. Risi në krahun e djathtë të mbrojtje ishte Randy për korçarët, në mungesë të Meksit të dëmtuar. Edhe Dovedan kishte bërë disa ndryshime, duke hedhur në fushë një skuadër pa pikë referimi në sulm, aty ku ishte improvizuar Bajramaj. Por, ky i fundit nuk luajti as 2 minuta, pasi u dëmtua dhe më pas u aktivizua uruguaiani Mozone.

Që në start Skënderbeu është shumë agresiv, por rastin më të mirë e krijon Bylisi me Peposhin, që godet përballë Dajsinanit dhe ky i fundit shpëton portën. Bregu dhe Mensah kanë shanse të arta për të shënuar, por pa shënjestrën e duhur. Skënderbeu dominon dhe goli nuk vonon. Imami jep një asist fantastik dhe Mensah nuk fal. Më pas vjen edhe rasti i shumëdiskutuar, që prodhoi polemika, teksa arbitri Jorgji akordon 11- metërsh për Bylisin pas rrëzimit në zonë të Mëllugjës, por pas tri minutash anulon gjithçka. Kësisoj, pjesa e parë mbyllet 1-0 për korçarët.bandicam-2020-06-24-21-32-14-648

PJESA E DYTË – Pas pushimit loja rinis me ballshiotët më kërkues, duke iu afruar disa herë portës së Dajsinanit. Megjithatë, janë korçarët që kanë raste më të pastra. Pas tentativës së Gripshit, që grushtohet nga Miraka, radhën e ka Bregu, i cili në pak minuta ka mundësinë e golit të dytë, por portieri i Bylisit bën heroin.

Këtu merr një kthesë të çmendur edhe takimi, pasi vendos ligji i pashkruar i futbollit, që “nëse nuk shënon, do ta pësosh”. Dovedan hedh në fushë Malçin, i cili rezulton çelësi i suksesit, pasi menjëherë shënon pas një insistimi të Mëllugjës. Bylisi godet Skënderbeun në momentin më të mirë. Më pas sërish i afrohet golit të dytë, kur e majta e Ndrecës e dërgon topin në traversë. Në fund, vërshëllima e Jorgjit çon në delir Bylisin.

FT: SKËNDERBEU – BYLIS 1-1

Mensah 34′ / Malçi 76′ 

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi. 

90′ Akordohen 5 minuta shtesë.

89′ Largohen edhe Bregu me Elezin, në lojë Pusi dhe Esien.

82′ Daja bën ndryshime, hedh në fushë Krasniqin dhe Asion Dajën, largohen Mara dhe Taipi.

79′ Tronditet traversa e portës së Skënderbeut, pas gjuajtjes së Ndrecës.

76′ GOOOOOOL BYLIS 1-1/ Vendoset baraspesha në Korçë. I sapofuturi Malçi gjen rrugën e rrjetës pas asistit të Mëllugjës. Në festë ballshiotët. 

75′ Zëvendësim te Bylis, largohet Mocone, vendin e tij e zë Malçi.

71′ Shkalla është futbollisti i tetë i ndëshkuar në këtë sfidë!

65′ Një tjetër mrekulli nga Festim Miraka, i cili i kthehet në makth Dejvi Bregut, dhe i mohon një tjetër shans ideal shënimi.

60′ Fantastik Miraka, i mohon një gol të sigurt Dejvi Bregut, pas spektaklit të vlonjatit brenda zonës. Me fat ballshiotët.

57′ Drithërima në portën e Bylisit, Gripshi provon me një predhë nga distanca, grushton mjaft bukur portieri Miraka, që largon rrezikun në këndore.

55′ Një sfidë tepër e luftuar njësoj si në pjesën e parë. Murataj rrezikon me një ndërhyrje të gabuar, por gjyqtari Jorgji e fal.

50′ Kapiteni i Bylisit ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Gripshit.

48′ Valentino Murataj provon me kokë, topi shkon ngjitur me traversën e Dajsinanit.

46′ Starton pjesa e dytë.

Përfundon pjesa e parë!

45+3′ Gjyqtari Jorgji ndryshon vendimin. Ka përplasje mes futbollistëve dhe zv.trajnerit të Skënderbeu, Gentjan Liçi. Loja ndërpritet për disa minuta. Liçi ndëshkohet me karton të kuq. Protestojnë ashpër ballshiotët.

45+1′ Pas një dueli mes Pëllumbit dhe Mëllugjës, ky i fundit rrëzohet në zonë, gjyqtari Jorgji akordon fillimisht 11-metërsh për ballshiotët. Një moment tepër i dyshimtë. Protestojnë korçarët.

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

39′ Pranë golit të dytë Skënderbeu me Bregun, gjuajtja e vlonjatit shkon jashtë kuadratit.

34′ GOOOOOL SKËNDERBEU 1-0/ Zhbllokohet sfida! Mensah kalon në avantazh korçarët pas asistit fantastik të Imamit. Dedikimi është i gjithi për Jorgo Meksin. 

30′ Dominim i korçarëve, që kërkojnë me ngulm golin e avantazhit.

26′ Mundësi e artë për Skënderbeun, e pabesueshme çfarë humbet Bregu me kokë pas asistit fantastik të Marës.

18′ Kartoni i katërt i verdhë në pak minuta, ndëshkohet edhe sulmuesi Mocone.

16′ Rast ideal i korçarëve. Mara jep një asist për Mensah, i cili nuk e shfrytëzon siç duhet. Vendimtare ndërhyrja e Goxhajt.

14′ Lojë tepër e ashpër e korçarëve, ndëshkohet me karton të verdhë edhe Taipi.

12′ Ndëshkohet me karton të verdhë edhe mbrojtësi Dumfur.

8′ Provon edhe Skënderbeu me Taipin, por gjuajtja grushtohet nga portieri Miraka.

7′ Pranë golit skuadra e Bylisit. Pas një përgjumje në mbrojtjen korçare, për pak sa nuk shënojnë ballshiotët. Vendimtar portieri Dajsinani, i cili i mohon golin Peposhit.

5′ Eni Imami ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

3′ Zëvendësim që në fillimin e ndeshjes, Bajramaj largohet nga fusha i dëmtuar, vendin e tij e zë Mocone.

bandicam 2020-06-24 19-34-44-010

1′ Ka startuar sfida!

SKËNDERBEU: Dajsinani, Randy, Dita, Pëllumbi, Imami, Taipi (Daja 82’), Mara (Krasniqi 82’), Elezi (Esien 89’), Gripshi, Bregu (Pusi 89’), Mensah (në dispozicion: Koliçi, Berisha, Lukaj, Jashanica, Vitija). Trajner: Ilir Daja

BYLISI: Miraka, Ntepe, Shkalla, Goxhaj, Ndreca, Mëllugja, Ujka, Hadroji, Murataj, Peposhi (Peçi 59’), Bajramaj (Mozone 3’ – Malçi 74’) (në dispozicion: Hidi, Janku, Sallaku). Trajner: Veljko Dovedan

KARTONË TË VERDHË: Imami 6’, Randy 13’, Taipi 15’ / Mozone 17’, Hadroji 41’, Mëllugja 45+3’, Murataj 50’, Shkalla 71’, Miraka 90+3’

Karton i kuq: Liçi nga stoli 45+5’

DELEGAT: Alban Tafaj (Tiranë) / VËZHGUES: Idriz Gashi (Durrës)

GJYQTARET: E.Jorgji (Elbasan), R.Avdo, N.Bregasi (Tiranë), R.Muska (i katërt)

 

105533803_3038932616224143_6327055726766382302_n

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"