Vëzhgim i “Panorama Sport”/ Tri përmbysje në 100 ndeshje, fitorja e Elbasanit ndaj Ilirisë… “historike”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 18:38

Vëzhgim i “Panorama Sport”/ Tri përmbysje në 100 ndeshje, fitorja e Elbasanit ndaj Ilirisë… “historike”

Fitorja ndaj Ilirisë ka qenë historike për Elbasanin. Jo se mundi fushë-krujasit, sepse një klub si Elbasani ka mundur këdo në futbollin shqiptar, por për formën se si erdhi ndeshja. Verdheblutë pësuan gol të parët dhe në fund morën tri pikët, duke përmbysur gjithçka. Dhe kjo është diçka që nuk ndodh shpesh për këtë skuadër. 

Elbasani

Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, elbasanasit kishin plot 41 ndeshje që nuk kthenin dot rezultatin në favorin e tyre dhe kjo ndodhte në sezonin kur mori pjesë në Kategorinë e Dytë. Atëherë përmbysnin Devollin 2 me 3 më 22 prill 2018. Mirëpo, po të mos llogarisim këtë kategori, për shkak të nivelit që luhet, elbasanasit do të duhet të kthehen 3 vite e gjysmë më parë ose plot 100 ndeshje.

Sa herë kishin pësuar të parët, nuk ia kishin dalë ta kthenin dot rezultatin. Fitorja e fundit me përmbysje në futbollin profesionist ka ndodhur pikërisht më 16 prill 2016, kur fitonin 2 me 3.

Lagunarët kryesonin me dy gola të Mezinit dhe Taullaut në pjesën e parë, ndërsa verdheblutë e kthyen në të dytën me golin e Mateos Toçit dhe dopietën e Kristal Abazajt, i cili në atë periudhë nuk ishte kthyer ende në “yllin” që është sot. Për këtë arsye, fitorja ndaj Ilirisë merr vlera dyfishe, sepse verdheblutë treguan një forcë karakteri dhe thyen një tabu jo të vogël.

MBIJETESA

Elbasani do të kërkojë me çdo kusht që këtë sezon të mbijetojë në Kategorinë e Parë, edhe pse përpara i pret një rrugë jo e vogël, sepse nuk i kanë bërë një nisje të mirë kampionatit. U bënë disa vite radhazi që verdheblutë kanë si objektiv vetëm qëndrimin dhe gjithnjë kanë vuajtur shumë në realizimin e këtij synimi.

Madje, para dy vitesh edhe ranë në Kategorinë e Dytë, por u rikthyen në të Parën. Sezonin e kaluar arritën të shpëtonin vetëm pas ndeshjes së “play-out” me Luzin 2008. Shpresohet që këtë sezon të mos vuajnë shumë, por që kjo të mos ndodhë, duhet vazhdimësi.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"