Vetëvritet Napoli, Italia me 2 ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2014 | 8:40

Vetëvritet Napoli, Italia me 2 ekipe

napoliLiga e Kampioneve ka njohur mbrëmjen e djeshme të 32 skuadrat pjesëmarrëse, me shortin e sotëm që do të ndajë në 8 grupe klubet më të mira të kontinentit. Në Montekarlo, sot pasdite, goglat nuk do të njohin emrat e disa skuadrave në pamje favorite, si Napoli, por edhe si austriakët e Salcburgut, që u përmbysën keqas në Suedi nga Malmo, e cila rikthehet pas shumë vitesh në këtë turne.
Napoli – Italia nuk humb rast për të turpëruar veten dhe dje, skuadra që ka njollosur sërish futbollin e gadishullit Apenin ishte Napoli. Edhe pse ndër vite italianët e ngushtuan pjesëmarrjen e tyre në Ligën e Kampioneve nga tre në katër skuadra, sivjet ato do të paraqiten vetëm me dy, Juventusin dhe Romën, sepse humbja e djeshme 3-1 në Bilbao, kundër vendësve të Atletik, nuk i lë nga arena e gjigandëve të kontinentit, ndonëse i dërgon ata drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Ligës së Europës, short që do të hidhet nesër, sërish në Montekarlo. Pasi në stadiumin “San Paolo” kishin mundur të barazonin 1-1, në “San Mames” gjërat për Napolin shkuan mjaft mirë, sepse Hamshik në minutën e dytë të fraksionit të dytë i dha avantazhin. Me atë gol, skuadra e Benitezit u duk sikur e siguroi kualifikimin, ose të paktën kishte në favorin e saj për të dërguar sfidën në shtesë. Por, në mënyrë të paimagjinueshme, italianët shkatërrohen për 13 minuta. Aduriz me një dopietë të shpejtë në minutat 61 dhe 69 përmbys gjithçka për baskët e Bilbaos, por në të 74-ën minutë ishte Ibai Gomez që blindoi kualifikimin, ndonëse me një gol të dyshimtë. Gjithsesi, deri në fund historia nuk ndryshoi, me Napoli dhe Italinë që njollosën emrat e tyre sërish.
Arsenali – “Topçinjtë” duhet të falënderojnë Aleksis Sançezin që gjen golin e tij të parë për anglezët në ndeshjen e duhur. Pasi shpërdorojnë shumë përpara portës me Uilsherin, në sekondat shtesë të pjesës së parë kiliani çan bllokun turk të mbrojtjes dhe dhuron avantazhin. Në pjesën e dytë, Arsenali ia vështirëson gjërat vetes, duke mbetur për 15 minuta me 10 lojtarë, por fati edhe këtë herë është me ishullorët, që shmangin mes drithërimave golin e barazimit, që do të kualifikonte Beshiktashin e Biliçit.
Të tjerat – Një fitore e çmendur ka qenë ajo e suedezëve të Malmos, që, edhe pse u mundën 2-1 në Austri nga Salcburgu, dje kanë bërë ndeshjen e jetës, duke fituar 3-0. Shumë i lehtë ka qenë 90-minutëshi i gjermanëve të Leverkusenit ndaj danezëve të Kopenhagenit, që dorëzohen pa kushte në shifrat 4-0. Ndërkohë, në Bullgari, Ludogoretsi vendës gjeti golin e minutës së 90-të me Vandersonin, i cili e dërgoi sfidën në shtesë, përballë Steauas së Bukureshtit. Pas 30 minutave të kota, lotaria e penalltive u ka buzëqeshur bullgarëve kundrejt rumunëve, që fituan në shifrat 7-6 dhe sot do të njohin rivalët e tyre gjigandë në shortin europian.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"