Vetëm një ndryshim te Kukësi, Josa ka gati strategjinë fituese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2021 | 21:30

Vetëm një ndryshim te Kukësi, Josa ka gati strategjinë fituese

Trajneri Mirel Josa po bën gati strategjinë fituese për t’u kualifikuar në Durrës. Edhe pse nuk ka shumë kohë deri ditën e ndeshjes kundër Teutës, tekniku kryeqytetas ka punuar intensivisht me ekipin dhe një lajm i mirë është fakti se nuk ka pasur mungesa sa u përket futbollistëve. Si fillim, Josa ka mbajtur një fjalim para ekipit ku ka kërkuar më shumë impenjim dhe vëmendje në stërvitje. Më tej tekniku ka shprehur besim tek ekipi dhe se në ndeshjen e radhës të gjithë do të reagojnë, duke kaluar turin.

Mirel Josa

Josa ka hartuar edhe strategjinë e fitores me Teutën, teksa, nga sa mëson gazeta, trajneri do të aktivizojë të njëjtin formacion si ndaj Apolonisë, ku nënkampionët kaluan të parët në avantazh, edhe pse me 10 lojtarë. I vetmi ndryshim pritet të jetë rikthimi i Bruno Lulajt dhe lënia jashtë e Altin Bytyçit në rolin e qendërmbrojtësit. Drejtuesit janë të bindur që Kukësi ka potencialin për ta kaluar Teutën. Kështu, Xhika do jetë në portë, Baravikas në të djathtë, Lulaj e Kurdiç në qendër, si dhe Kotobelli në të majtë të mbrojtjes. Mesfusha do të përbëhet nga Peposhi ose Gashi, si dhe Tsintzade, Taipi e Demiri. Ndërsa sulmi do të udhëhiqet nga kapiteni Agim Ibraimi dhe me Ezenë në majë. Sakaq, Vesel Limaj vazhdon të shihet si zgjedhje nga stoli, paçka se kualiteti i tij është mjaft i madh. Gjithsesi, për momentin fokusi i skuadrës verilindore është ndeshja me Teutën, e cila duhet kaluar me çdo kusht.

E KALUARA

Teuta është një prej ekipeve ndaj të cilit Kukësi ka luajtur më shpesh në Kupën e Shqipërisë. Nënkampionët janë përballur pesë herë në total në Kupën e Shqipërisë me durrsakët, teksa verilindorët dominojnë duke arritur tri herë kualifikimin. Kukësi ka arritur në finalen e Kupës së Shqipërisë për herë të parë në sezonin 2013- 2014. Atë sezon eliminonin pikërisht Teutën në çerekfinale, duke e mundur 3-2 në Kukës dhe 0-1 në Durrës.

Më pas në finale humbnin ndaj Flamurtarit. Në Kupën e Shqipërisë, Kukësi ka shënuar ndaj Teutës 11 gola në 8 ndeshje dhe ka pësuar 9 të tillë. Për fatin e mirë të verilindorëve, në dy rastet e fundit që Kukësi ka eliminuar Teutën, ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Në të dyja rastet, Teuta është eliminuar në çerekfinale dhe Kukësi ka arritur të bëhet fitues i këtij trofeu. Duke qenë se tashmë objektivat janë të qartë për të dyja kampet, Kukësi kërkon Kupën me çdo kusht edhe për faktin se ka humbur terren në kampionat.

S. SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"