Vendos Abilaliaj, Flamurtari thyen Vllazninë. Canajt i ikën zëri: Në ndeshje të tilla ndodh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2014 | 12:55

Vendos Abilaliaj, Flamurtari thyen Vllazninë. Canajt i ikën zëri: Në ndeshje të tilla ndodh

FlamurtariFLAMURTARI-VLLAZNIA 1-0
GOLAT: Abilaliaj 51′
FLAMURTARI: Moçka, Mici, Kuqi, Dushku, Veliu, Pepa, Telushi, Lena (A.Shehaj 89′), G.Lika, Zeqiri, Abilaliaj (Begaj 78′). Trajner: Ernest Gjoka
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Beqiri (Nikoliç 65′), Kraja, Vukçeviç, Boci (Gjini 79′), Sykaj, Tafili, Belisha, Shtubina, Bushiç, Hajdari (Kruja 60′). Trajner: Agim Canaj
KARTONË TË VERDHË: Telushi 40′, Dushku 43′, Mici 53’/ Sykaj 19′, Kruja 60′, Boci 78′, Belisha 93′
DELEGAT: Albano Janku (Tiranë)
VËZHGUES: Myrteza Allkja (Elbasan)
GJYQTARET: A.Koçi, F.Lamaj (Durrës), E.Doda (Durrës)

MINUTAT
10′ Goditje dënimi për Flamurtarin, Veliu gjuan fuqishëm nga distanca, por Vujadinoviç pret i sigurt.
19′ Boci pengon Lenën në afërsi të zonës dhe Flamurtari fiton të drejtën e një goditjeje dënimi. Telushi provon të shënojë, por goditja e tij pritet nga Vujadinoviç.
25′ Belisha shfaqet rrezikshëm me një goditje nga jashtë zone, por është Moçka që pret i sigurt.
34′ Lena kroson në zonë për Abilaliajn, ky i fundit provon me kokë, por pret Vujadinoviç.
35′ Gilman Lika fut një top në zonë dhe Abilaliaj afër portës e devijon me kokë, por është i pafat, pasi “sfera” përplaset në shtyllë dhe mbrojtësit shkodranë largojnë rrezikun.
51′ Abilaliaj lëviz bukur në të majtë të sulmit dhe nga një pozicion diagonal, godet tokazi nga jashtë zone. Topi parakalon gjithë mbrojtjen shkodrane dhe shkon në rrjetë, duke befasuar portierin Vujadinoviç, i cili nuk reagoi në kohë, 1-0 për Flamurtarin.
55′ Goditje dënimi për Vllazninë nga rreth 25 metra. Mbrojtësi Beqiri gjuan fuqimisht me të djathtën dhe Moçka bën mrekullinë, duke grushtuar topin.
63′ Belisha jep një top të gjatë në zonë, aty ku Kraja devijon dhe nxjerr të lirë Vukçeviçin, që gjuan menjëherë me kokë drejt portës, por edhe këtë herë Moçka shpëton Flamurtarin.
72′ Zeqiri kroson në zonë, aty ku Veliu shfaqet i lirë, por gabon në goditje, duke ia bërë të lehtë portierit Vujadinoviç.
84′ Goditje këndi për Vllazninë, Shtubina kroson në zonë dhe aty Bushiç prek topin, që indirekt shkon në formë asisti për serbin Nikoliç. Ky i fundit gjuan fort me të majtën, por Moçka arrin ta presë topin, duke shpëtuar Flamurtarin nga një gol i sigurt.

Flamurtari në festë, e shikon veten në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe vazhdon ëndrrën për të fituar trofeun. 90 minutat e kthimit në Vlorë kundër Vllaznisë kanë përfunduar me rezultatin 1-0 për Flamurtarin. Ka mjaftuar një gol i Arbër Abilaliajt në fillimin e pjesës së dytë, që kuqezinjtë e Ernest Gjokës të thyejnë ekipin shkodran. Ka qenë një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat, madje me një lojë të ekuilibruar në thuajse gjithë ndeshjen. Rastet për gol kanë qenë të shumta në të dyja portat, por për vlonjatët ka bërë heroin Shpëtim Moçka. Në më shumë se tri raste, portieri ka shpëtuar Flamurtarin nga gola të sigurt, duke pasur një meritë të madhe në këtë kualifikim. 45 minutat e para kanë qenë më të mira për kuqezinjtë, të cilët në disa raste nuk kanë pasur as fatin me vete. Abilaliaj ka goditur shtyllën, por, gjithsesi, ka ditur të qetësojë skuadrën në pjesën e dytë, aty ku shkodranët u treguan të rrezikshëm pas pësimit të golit.
Pjesa e parë Skuadrat thuajse praktikojnë të njëjtën skemë, edhe pse Flamurtari është i rreshtuar me më shumë lojtarë ofensivë. Loja nis me skuadrën vlonjate shumë më kërkuese. Për disa minuta mungojnë rastet e rrezikshme, gjithsesi loja vjen në rritje. Nuk mungojnë dyluftimet e ashpra në mesfushë dhe ndërprerjet e shpeshta. Gjyqtari Koçi e ka të vështirë në disa raste, megjithatë arrin të menaxhojë mirë një ndeshje ku lojtarët e të dyja skuadrave kanë qenë psikologjikisht të rënduar. Në fushë dukej qartë nervozizmi nga të dyja palët, çka bëri që edhe në rastet e krijuara të mungonte qetësia përpara porte. Abilaliaj është protagonisti absolut i takimit, teksa 10′ afër fundit të fraksionit të parë godet dy herë shtyllën. Në rastin e parë Vujadinoviç ishte me fat, pasi nuk arriti të reagonte, por në rastin e dytë aksioni u bë i pavlefshëm, pasi Abilaliaj u cilësua në pozicion jashtë loje nga anësori Lamaj. Përtej përpjekjeve të vlonjatëve, gjithçka mbyllet pa gola.
Pjesa e dytë Skuadrat e rinisin takimin me të njëjtat formacione. Që në start Flamurtari zhvendoset në gjysmëfushën shkodrane, duke kërkuar avantazhin. Në një aksion pa pretendime, Abilaliaj përfiton nga hutimi i mbrojtësve shkodranë dhe portierit Vujadinoviç. Sulmuesi gjen bukur një të çarë në mbrojtjen mike dhe me një goditje tokazi shënon golin e avantazhit. Vlonjatët çlirohen, por vuajnë në minutat në vijim si pasojë e presionit të shkodranëve. Mbrojtësi Elvin Beqiri bëhet protagonist nga goditjet standarde, por është Moçka që i mohon golin. Trajneri Canaj bën dy lëvizje të shpejta pas golit. Duke mos pasur çfarë të humbë, fut në fushë dy lojtarë ofensivë si Nikoliç e Kruja, të cilët i japin më shumë freski lojës së shkodranëve. Vllaznia bëhet e rrezikshme dhe i afrohet golit, por gjen një Moçka në ditë të shkëlqyer. Flamurtari mundohet të godasë me anë të kundërsulmit, por nuk është i saktë në aksionet që ndërton. Pasi akordohen katër minutat shtesë, ankthi shtohet në kampin vlonjat, por rezultati administrohet më së miri. Vërshëllima e gjyqtarit Andi Koçi bën që vlonjatët të shpërthejnë në festë, ndërsa shkodranët të mendojnë tashmë për qëndrimin në elitë. Flamurtari kërkon kështu të shkojë sa më larg në kompeticionin e kupës, duke përjetuar pse jo emocionet e vitit 2009, kur u shpall edhe fitues. Synimi i klubit është që kupa të rikthehet në Vlorë.

Abilaliaj: Radhën e ka… Tirana
Arbër Abilaliaj ishte padyshim heroi i ndeshjes së djeshme Flamurtari-Vllaznia. Ai i dha një fitore shumë të rëndësishme skuadrës vlonjate, pasi me golin që shënoi në pjesën e dytë e kualifikoi në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Sulmuesi është shprehur mjaft i kënaqur në lidhje me këtë gol, por edhe me kalimin e Flamurtarit në gjysmëfinale. “E rëndësishme është që u kualifikuam. Ndeshja ishte pozitive dhe ekipi reagoi mjaft mirë. Zhvilluam një paraqitje dinjitoze dhe një gjë të tillë e treguam edhe në ndeshjen me Kukësin, pavarësisht se aty humbëm. Jemi aty ku ne duhet të jemi në fakt dhe kjo ishte një fitore mjaft e rëndësishme që na çon në gjysmëfinalen e kupës. Jemi në rrugë të mbarë dhe duhet të vazhdojmë kështu”, – deklaroi fillimisht Abilaliaj. Për sa i përket skuadrës që Flamurtari dëshiron të ketë përballë në gjysmëfinalen e kupës, vlonjati shtoi: “Nuk kam ndonjë preferencë për ekipin që do të kemi në turin tjetër”. Ndërkohë, sulmuesi shënjestron Tiranën si gjahun e radhës. Pas golit në Kukës dhe atij ndaj Vllaznisë, shtatlarti i kuqezinjve beson se do të shënojë edhe në portën e bardhebluve. “Tashmë sytë duhet t’i kemi nga kampionati. E diela është mjaft e rëndësishme për ne. Duhet të jemi shumë të përqendruar dhe ta fitojmë ndeshjen me Tiranën. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Vazhdimësia në kampionat është sfida jonë. Shpresoj të shënoj sërish”, – tha Abilaliaj. Sa i përket dedikimit të golit të fundit që i dha kualifikimin Flamurtarit, sulmuesi u shpreh: “Golin ia dedikoj familjes sime dhe tifozëve që na mbështetën”. Kujtojmë që gjatë ndeshjeve të këtij viti Abilaliaj ka qenë i pafat, teksa ha humbur shumë raste për gol, ndërsa dje përveçse shënoi, goditi dy herë edhe shtyllën. Gjithsesi, pas golit në Kukës javën e kaluar, sulmuesi e ndjen veten të çliruar dhe premton se nuk do të ndalet më.

Gjika parashikoi rezultatin para sfidës: Fitojmë 1-0!
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, gjen në kokë rezultatin e ndeshjes së djeshme. Në nisje të pjesës së parë, teksa po ngjitej për në tribunën VIP, i shoqëruar nga ishfutbollisti shkodran, Fatbardh Jera, u tha kështu tifozëve që kishte aty pranë: “Ndeshja përfundon 1-0 për ne”. Dhe kështu ndodhi, në fund Flamurtari arriti të mposhte Vllazninë me këtë rezultat, duke lënë të kënaqur tifozët dhe sigurisht drejtuesit e klubit. Një nga synimet madhore të skuadrës tashmë është fitimi i Kupës së Shqipërisë. Duke parë vështirësinë në kampionat, klubi mendon se nëpërmjet kupës mund të fitojë të drejtën e marrjes pjesë në Kupat e Europës. Gjika beson te skuadra dhe është i bindur se Flamurtari do të arrijë në finale dhe do ta fitojë kupën.

Gjoka i kënaqur: Ishte një fitore morali për ne
I kënaqur pas këtij rezultati është trajneri Ernest Gjoka. Natyrshëm, kreu i pankinës vlonjate priste më shumë nga skuadra pas disa rezultatesh negative në kampionat. Kthesa këtë herë erdhi në kupë, madje në një fitore që vlen kualifikimin për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. “Ekipi ka reaguar mjaft mirë dhe këtë e tregoi edhe në lojë, duke zbatuar të gjitha detyrat. Ishte një tur i vështirë për t’u kaluar, pasi rezultati 0-0 i ndeshjes së parë t’i jepte të gjitha mundësitë. Kaluam një ndeshje të fortë, por ishte edhe ai problem që kemi pasur psikologjik gjatë këtyre javëve, kështu që mendoj se tashmë skuadra do të ketë më shumë moral dhe kurajë për të vazhduar garën dhe ecur drejt sukseseve. Unë mendoj që ekipi sot (dje) ka luajtur mirë, duke zbatuar të gjitha detyrat që ne kishim caktuar si staf. Kishim shumë raste për gol, megjithatë jam i kënaqur nga ky rezultat, pasi na kualifikoi”, – deklaroi dje Gjoka, i cili beson se me këtë Flamurtar do të shkojë në finalen e kupës, me synimin për ta fituar këtë kompeticion. Për herë të fundit vlonjatët e kanë fituar në vitin 2009 me trajnerin Eqerem Memushi.

Canajt i ikën zëri: Në ndeshje të tilla edhe ndodh
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, është shumë i zhgënjyer pas këtij eliminimi nga Kupa e Shqipërisë. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, kreu i pankinës shkodrane theksoi ndër të tjera se ekipin e tij e penalizuan rastet e humbura. “Duke pasur parasysh se ndeshja e parë u mbyll në barazim dhe ne e dominuam totalisht atë, dua të them se këtë herë dihej që një gol mund të rihapte ndeshjen ose mund të eliminoheshe. Megjithatë, do të thosha që pjesa e dytë ishte shumë e luftuar. Ne patëm disa mundësi për të shënuar, teksa një gol mund të na çonte në kualifikim. Ajo që po na penalizon është humbja e rasteve dhe fati. Tashmë pas këtij eliminimi, objektivi kryesor është të mos biem nga kategoria. Do të shkojmë të mobilizuar në takimin e radhës me Bylisin. E dimë që do ta kemi të vështirë, por do të mundohemi të rikuperojmë lojtarët dhe të mundohemi që deri të dielën të bëjmë më të mirën”, – është shprehur fillimisht Canaj. Ndërkohë, gjatë ndeshjes trajnerit të Vllaznisë i ka ikur zëri, pasi është ngjirur shumë pas udhëzimeve të lojtarëve. Tekniku vlonjat ka dalë shumë pak nga pankina, ndërsa udhëzimet gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes i ka dhënë ndihmësi i tij, Samuel Nikaj. I pyetur pas ndeshjes për këtë, Canaj u shpreh: “Unë komunikoj gjithmonë me lojtarët, por duke qenë se m’u ngjir zëri, nuk flisja dot dhe bënim shkëmbime të tilla. Është normale që në një ndeshje të tillë të tensionuar të të ikë edhe zëri”.

Vlonjatët, gati 10 milionë lekë premio
Klubi i Flamurtarit pritet të shpërndajë të shtunën 10 milionë lekë premio për futbollistët, pas kualifikimit për në turin gjysmëfinal ndaj Vllaznisë. Edhe pse dje drejtuesit nuk i bënë të ditur ekipit një shpërblim të tillë, mësohet se në një komunikim që kanë pasur me stafin dhe lojtarët pak javë më parë, shifra e premtuar për kualifikimin ka qenë pikërisht 10 milionë lekë të vjetër. Gjithsesi, drejtori sportiv Ardi Behari konfirmoi dje për “Panorama Sport” se shpërblimi për kualifikimin do të jetë pikërisht 10 milionë lekë. “Kjo shumë është vënë në dispozicion nga donatorët që mbështesin skuadrën tonë, kompanitë TRK dhe Atlasjet”, – saktësoi drejtori sportiv i Flamurtarit.

Tension në fushë dhe ndërhyrje të ashpra
Nervozizmi ka qenë dje i pranishëm te lojtarët e të dyja skuadrave. Shpesh kanë ndikuar edhe vendimet e gjyqtarit, por nuk kanë munguar as ndërhyrjet e ashpra. Në minutën e 42-të, Telushi dhe Lena janë kapur me Belishën, i cili vonoi dorëzimin e topit pas një goditjeje dënimi. Gjithashtu mbrojtësi Dushku ka debatuar me gjyqtarin Koçi, për shkak të një episodi ku kryesori ndali aksionin e një prej lojtarëve vlonjatë. Ky rast është cilësuar jo i drejtë nga Dushku, i cili për shkak të debatit me gjyqtarin mori edhe kartonin e verdhë. Ndërkohë, afër fundit të lojës Boci i Vllaznisë e teproi me ndërhyrjet ndaj Pepës, të cilat ishin shumë të ashpra, por ai u ndëshkua vetëm me një karton të verdhë.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"