U transferua nga Sopoti tek liqenorët, flet portieri Alliu: Më bindi trajneri, Pogradeci një shans për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2021 | 14:25

U transferua nga Sopoti tek liqenorët, flet portieri Alliu: Më bindi trajneri, Pogradeci një shans për mua

Herdis Alliu jep garanci për portën. I ardhur nga Sopoti i Kategorisë së Dytë, gardiani e quan një shans transferimin te Pogradeci. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari tregon se u kontaktua prej vetë trajnerit dhe nuk hezitoi që t’i thoshte direkt “po”.

HERDIS ALLIU

“Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë e Pogradecit, një skuadër që vitet e fundit e ka mbyllur kampionatin mes më të mirave të kësaj kategorie. Kontaktet e para ishin me trajnerin Ardian Abazaj, i cili më kontaktoi personalisht dhe më kërkoi që t’i bashkohem këtë sezon të ri.

Nuk u mendova dy herë pasi më pëlqeu projekti i klubit. Para se të vija këtu, luaja për qytetin tim dhe nuk shkëputesha dot. Po vijoja universitetin dhe e kisha të pamundur, por këtë vit e përfundova edhe kontratën me Sopotin.

E vërtetë që do luaj në një kategori më lart dhe me më shumë nivel se e Dyta, por nuk ndihem aspak konfuz. Jam i lumtur që do të mbroj portën e Pogradecit dhe do bëj më të mirën time, që të ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave.

Ambienti këtu është shumë komod. Këtë muaj prove, kam parë se Pogradeci është një qytet që e do shumë futbollin, ndërsa në skuadër ambienti është akoma edhe më i mirë. Vazhdojmë të stërvitemi fort në pritje të ndeshjes së parë.

Marrëdhëniet i kam shumë të mira me të gjithë. Me disa futbollistë jam njohur më parë. Më kanë pritur shumë mirë dhe e kam ndier veten si djalë pogradecar”, përfundoi librazhdasi.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"