Trukimet, presidenti: Arbitrat më kanë dërguar njerëz t’u jepja para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2016 | 10:34

Trukimet, presidenti: Arbitrat më kanë dërguar njerëz t’u jepja para

Plas sërish “bomba” e trukimeve. Pas vetëm pesë javësh kampionat, kthehet edhe një herë tema më e diskutuar së fundmi në futbollin shqiptar. Është presidenti i Tërbunit, Artan Zaja, i cili hedh akuza të drejtpërdrejta se, gjatë këtyre javëve i kanë ofruar para për të shitur ndeshje, apo edhe më keq akoma, se gjyqtarë i kanë dërguar njerëz për t’u dhënë para që, më pas, ekipi i tij të favorizohej në ndeshje.

Terboni 2016

Skandali

Gjithçka ka nisur në një status në “Facebook” në faqen e tifozëve të Tërbunit, “Tërbuni Ultras Club”, të cilët kanë postuar një mesazh të një prej lojtarëve të skuadrës që ankohej se nuk ishin paguar prej tre muajsh. Përveç mungesës së pagesave, sipas lojtarëve, ekipit i mungonin edhe kushtet më elementare, në një kohë që thuhej edhe se presidenti Artan Zaja i gënjente lojtarët. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të klubit me anë të një komenti në postimin e bërë.

Artan Zaja

“SMS mund të dërgojë kushdo, e drejta e Zotit është të mos mashtrohen lexuesit. Kam marrë ekipin pasi u shkri. U kam paguar disa miliona paradhënie lojtarëve nga ekonomia familjare, fushën, uniformat, ushqimin dhe transportin. Disa lojtarëve edhe pagat.

Kam marrë DVD-në e ndeshjes me Shënkollin dhe do ta dërgoj në Prokurori sepse na mohuan fitoren. Disa lojtarë kanë marrë masa ndëshkimore. Do të ketë përjashtime nga ekipi për çështje disipline. Pagesa do jetë edhe në sajë të performancës dhe kjo është e parashikuar në kontratë.

Ka ikur koha e shitblerjes së ndeshjeve. Më kanë futur njerëz të blej ndeshje dhe nuk kam pranuar. Më kanë çuar njerëz arbitrat që t’u jepja lekë që të më linin ndeshjen dhe nuk kam pranuar dhe nuk pranoj. Hyrja do jetë falas gjithë këtë sezon në stadiumin e Pukës. Pagesat janë kryer dhe do bëhen”, shkruante presidenti i Tërbunit në komentin e tij drejtuar tifozëve.

Postimi Artan Zaja

Faksimile e komentit të Artan Zajës

Edhe gjatë sezonit të kaluar, skuadra pati probleme të mëdha me pagesat dhe, në shumë raste, lojtarët u rebeluan.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"