Tronditet Lushnja, mungon dyshja titullare e sulmit për ndeshjen në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 10:42

Tronditet Lushnja, mungon dyshja titullare e sulmit për ndeshjen në derbi

Një goditje e madhe për Lushnjën pak ditë para derbit të së dielës me Apoloninë. Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë dhe morali ishte i lartë pas dy fitoreve radhazi në stadiumin “Roza Haxhiu”, dje është mësuar befas se skuadra verdhejeshile nuk do të ketë gati për derbin dy sulmuesit e saj titullarë, Mikel Cankën dhe Armand Mezinin. Klubi ka marrë dje njoftimin zyrtar nga FSHF-ja se të dy këta lojtarë janë të skualifikuar, pasi kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë në ndeshjen e fundit.apolonia-lushnja

E konfirmon këtë për gazetën “Panorama Sport” sekretari i klubit lushnjar, Edison Koçi, i cili shprehet: “Po, Canka dhe Mezini janë të skualifikuar për derbin, janë me nga katër kartonë të verdhë. Pjesa tjetër janë të gatshëm për ndeshjen, që do të luhet ditën e diel, në orën 17:30”. Canka dhe Mezini shënuan tre golat e fitores në ndeshjen e fundit me Pogradecin, dy nga kapiteni dhe një nga sulmuesi tjetër.

Në total kanë shënuar 19 gola për skuadrën e Gjylës gjatë këtij kampionati, duke qenë vendimtarë në fitoret e saj. Janë dy mungesa të mëdha për një ndeshje kaq të rëndësishme për verdhejeshilët, të cilët synojnë të rihapin garën e kreut dhe për këtë u duhet vetëm fitorja. Por pa Cankën dhe Mezinin koeficienti i vështirësisë rritet ndjeshëm, sepse mungesa e tyre ndikon edhe në aspektin psikologjik në skuadër.erzeni lushnja

ZËVENDËSUESIT – Trajnerit Ilir Gjyla i duhet të ndërtojë një sulm të ri për ndeshjen me Apoloninë. Atij i duhet të përzgjedhë midis Brunild Pepës, i cili ka luajtur edhe në mesfushë në disa ndeshje, Ervis Gjylës, Ademit dhe Branicës. Peqinasi ka qenë i dëmtuar, por është duke u rikuperuar dhe stafi teknik shpreson ta ketë të gatshëm të dielën. Shanset më të mëdha për të qenë në fushë nga minuta e parë i kanë Pepa dhe Branica, dy sulmues me përvojë.

Canka dhe Mezini do të jenë në tribunën e “Roza Haxhiut” dhe kuptohet që mungesa e tyre e ul disi edhe optimizmin në radhët e tifozëve lushnjarë për derbin e katërt sezonal me Apoloninë. Objektivi minimal i Lushnjës është që të ruajë vendin e dytë deri në fund të kampionatit e më pas të përgatitet për ndeshjet shtesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"