Troisi i kënaqet barazimit me Lushnjën, sulmuesi i Turbinës: Sfidova presionin te penalltia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2020 | 22:51

Troisi i kënaqet barazimit me Lushnjën, sulmuesi i Turbinës: Sfidova presionin te penalltia

Turbina nuk e njeh humbjen për të 4-ën javë radhazi, me 3 barazime dhe 1 fitore. Marcelo Troisi nuk ka si të mos kënaqet me ecurinë e të tijve, ndërsa për gazetën shprehet:TROISI

“Faleminderit çunave që vrapuan deri në fund. Jemi të kënaqur që evituam humbjen. Nuk dolëm të mërzitur nga fusha. Një pikë ishte shumë e mirë. Në fillim të pjesës së dytë mund të kalonim në avantazh, por na ndaloi traversa. Kemi pasur disa lojtarë me probleme dëmtimi. Mendoj që kam një ekip të fortë. Është barazimi i tretë, që marrim jashtë fushës tonë. Kemi ndeshjen e fundit me Pogradecin në shtëpi. Në fakt, kemi katër ndeshje radhazi në fushën tonë dhe do të ngrihemi, sepse meritojmë më shumë pikë se kaq”.

Renato Spahiu është “heroi” i Turbinës. Me dy golat e shënuar, u dha një barazim të çmuar cërrikasve. Sulmuesi 22- vjeçar është i lumtur që gjeti rrjetën, ndërsa tregon se pati një lloj presioni në momentin që ekzekutoi penallti në shtesë. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, lojtari i ardhur nga Dinamo, tregon planet që ka edhe për të ardhmen.

“Jam shumë i lumtur që shënova dy gola dhe morëm një rezultat pozitiv. Ia dedikoj familjes, trajnerit që ka besuar shumë tek unë dhe shokëve të ekipit. Për të qenë shënuesi më i mirë në këtë grup do t’ia lë kohës, por rëndësi ka që u zhbllokova dhe gjeta rrjetën në javën e 8-të të këtij kampionati. Të gjuash një penallti në minutën e 92-të ka shumë presion, por ruajta qetësinë”, tha fillimisht Spahiu. Ai u ndal edhe te pretendimet e Turbinës, ndërsa evidenton se skuadra meriton që të jetë më lart me ecurinë dhe lojërat e zhvilluara. “Kemi një ekip shumë të mirë dhe meritojmë një pozicion më të mirë në tabelë”, përfundoi sulmuesi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"