Trofetë e Dinamos për vazo lulesh, klubi apel për rikthimin e kupave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2020 | 9:18

Trofetë e Dinamos për vazo lulesh, klubi apel për rikthimin e kupave

Dinamo është një klubet emblematike shqiptare, që prapa i vjen historia… Tifozët e saj dhe ata që kanë parë me sytë e tyre për vite e vite me radhë gjenerata të ndryshme të Dinamos, një nga shkollat më të njohura në vend, ia njohin mirë vlerat, por brezi i ri apo të huajt duhet vetëm të imagjinojnë, sepse aktualisht nuk ekziston palmaresi blu.

Dinamo

Në mënyrën më barbare, para disa vitesh, kur Dinamoja u përzu me dhunë nga shtëpia e saj, nga kompleksi historik pranë Liqenit Artificial, një Zot e di se ku përfunduan trofetë e 18 titujve kampionë, 13 Kupave të Shqipërisë dhe 2 Superkupave të Shqipërisë. Të gjithë trofe të markës së njohur blu, të fituar plot meritë dhe krenari nga Mujo Targaj, Sulejman Demollari, Ilir Përnaska, Shyqyri Ballgjini, sa për të përmendur disa emra në listën e pafundme të atyre që kanë kontribuuar për t’i fituar.

Dinamo (1)

Në kohët e sotme, dikush, me papërgjegjshmërinë më të madhe, i ka injoruar, ndaj dhe klubi kryeqytetas nuk ka në zyrat e tij asgjë nga trashëgimia e tij e çmuar. Një fakt që vret kur e mendon dhe që ka vënë në lëvizje drejtuesit e rinj për të rikuperuar sa më shumë të jetë e mundur nga pasuria e madhe e Dinamos.

TRI KUPA – Presidenti i Dinamos, Marko Pontreli, së bashku me administratorin Ermal Barushi kanë marrë iniciativën për t’i kërkuar me çdo mënyrë trofetë e humbur të “thesarit” dinamovit. Me anë të faqes zyrtare në “Facebook” kanë kërkuar ndihmë nga të gjithë ata që kanë dijeni për trofetë e bluve dhe kanë siguruar deri tani tri kupa të Shqipërisë, një nga të cilat ironikisht kishte përfunduar si vazo lulesh.

Njerëz që kanë banuar pranë ish-kompleksit të Dinamos apo që kanë pasur aktivitete në atë vend, kanë nisur t’u vijnë në ndihmë drejtuesve të rinj të klubit, të cilët duan të krijojnë muzeun e Dinamos, ashtu siç e meriton klubi i dytë më i titulluar në vend. Për t’i gjetur të gjithë trofetë është e pamundur, por të paktën të kthehet në klub një pjesë e mirë e tyre. Ndoshta ata që i kanë këta trofe do të ndërgjegjësohen për t’ia kthyer të zotit, sepse vlera e tyre ka kuptim vetëm kur janë të vendosur në muzeun historik të Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"