“Tris” Kosovës në miqësore, shkëlqen Kombëtarja e Cungut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2021 | 13:09


“Tris” Kosovës në miqësore, shkëlqen Kombëtarja e Cungut

Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve ka zhvilluar këtë të premte ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar ndaj Kosovës U-19. Sfida e luajtur paraditen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena” ka përfunduar në favor të kuqezinjve, me rezultatin final 3-0.

SHQIPERIA

Ekipi ynë zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, me një pjesë të parë të dominuar totalisht nga tanët, ku kuqezinjtë shënuan dy gola. Djemtë e drejtuar nga tekniku Armando Cungu tregohen të rrezikshëm në disa raste që në minutat e para, teksa në minutën e 19-të, shtylla i mohoi golin Klevi Qefalisë, i cili godet mirë një top, që kalon ngjitur me shtyllën, por pa përfunduar në rrjetë.

7 minuta më vonë, gjyqtari akordon një penallti për kuqezinjtë, pas një prekjeje me dorë nga ana e lojtarëve të Kosovës. Kapiteni Henri Nerguti merr përsipër të godasë penalltinë, duke e dërguar topin saktë në rrjetë dhe duke i dhënë avantazhin ekipit tonë. 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, Qefalija merr një top të bukur nga mesfusha, duke e shfrytëzuar më së miri këtë herë dhe duke shënuar golin e dytë për Shqipërinë.

Në pjesën e dytë të lojës, trajneri Cungu bën disa zëvendësime, duke freskuar skuadrën. Në minutën e 57-të, Flori Spahija ndëshkohet me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e Cungut me 10 lojtarë. Megjithatë, edhe në këtë pjesë, kuqezinjtë tregohen dominantë, teksa në minutën e 77-të, Janaqi shënon golin e tretë për skuadrën, duke vulosur kështu rezultaiin final në 3-0.

Kjo ishte miqësorja e dytë ndaj Kosovës U-19, teksa në miqësoren e parë kuqezinjtë u mundën me rezultatin minimal 0-1. Kombëtarja U-19 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime dhe ndeshje miqësore nga fillimi i këtij viti deri më tani nën drejtimin e Armando Cungut, që i kanë shërbyer si teste për të parë gjendjen e skuadrës dhe lojtarëve, pavarësisht se për shkak të pandemisë covid-19, ekipi nuk ka qenë gjithmonë i plotë.


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/