“Treni” i fundit për Teutën, Biturku: Ja kush do ta bëjë diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2018 | 12:58

“Treni” i fundit për Teutën, Biturku: Ja kush do ta bëjë diferencën

Teuta dhe Skënderbeu gjithmonë kanë dhuruar ndeshje spektakolare në vitet e fundit në sallonin e madh të futbollit shqiptar, pavarësisht pozicionimit që skuadrat kanë pasur në klasifikim. Zv.trajneri Ilir Biturku është optimist, ndërsa thotë se Teuta e ka përgatitur me shumë kujdes këtë takim me synimin për ta fituar.

biturku

“Edhe pse vijmë nga një humbje me kampionët në fuqi, skuadra po tregon optimizëm, dëshirë dhe karakter. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, por kemi qenë të pafat. Nuk kemi ditur të shfrytëzojmë rastet që kemi krijuar dhe për këtë të vjen keq. Episodet nuk kanë qenë në favorin tonë, megjithatë e kemi hedhur pas krahëve dhe jemi totalisht të fokusuar te ndeshja e radhës”, tha fillimisht numri dy i pankinës.

mocka teuta

A e keni të vështirë për ta motivuar skuadrën në një ndeshje si kjo?

Përgjigjen e japin futbollistët, realiteti është ky: Lojtarët kanë një gjendje të mirë fizike, po shprehen mirë në fushë dhe kemi marrë rezultate pozitive përveç Kukësit. Pra, kjo tregon se jemi në rrugën e duhur. Gjithsesi, ky është realiteti, Vllaznia ka ndeshjet e saj, por edhe ata kanë problemet e tyre. Ne duhet të fokusohemi vetëm te ndeshjet tona.

Ndeshja me Skënderbeun mos vjen në një moment delikat për Teutën?

Kjo ndeshje do të tregojë nëse skuadra është realisht në një gjendje të mirë psikofizike dhe teknikotaktike për të arritur objektivin që kemi. Duhet të fitojmë ndeshjen dhe të marrim trepikëshin, në mënyrë që të mos e lejojmë kundërshtarin direkt, që është Vllaznia, të shkëputet nga renditja.

Teuta Skenderbeu

Në rast suksesi me Skënderbeun, kalendari buzëqesh për Teutën. A është ky një tregues se mund të dilni nga kjo situatë?

Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. E rëndësishme është të luajmë mirë me Skënderbeun dhe të fitojmë, më pas të mendojmë për ndeshjen me Lushnjën. Janë për t’u zhvilluar edhe 12 ndeshje, në lojë ka edhe shumë pikë. Nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, me këtë entuziazëm, do të ngjitemi shpejt në klasifikim.

Teuta-Skenderbeu

Megjithatë, nuk është e lehtë që në një periudhë kohe kaq të shkurtër të arrish të ndërtosh dhe të implementosh atë filozofi që trajneri kërkon. Duhet pak kohë sepse në futboll gjërat nuk vijnë direkt, megjithatë ne jemi optimistë se nëse do të fitojmë këto tri ndeshje, do të dalim nga kjo krizë.

Skënderbeu ka një sulm të frikshëm, e keni menduar si mund t’i ndalni?

Çdo ndeshje është një histori më vete, ne jemi përballur katër herë me Skënderbeun këtë edicion dhe nuk mendojnë se ka sekret në futboll. Ashtu siç na njohin edhe ne e njohim kundërshtarin. Diferencën do ta bëjë motivimi, djemtë janë të motivuar për të marrë tri pikët.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"