Transfertat një tabu/ Lushnja ka fiks një vit pa fituar jashtë fushe, kapiteni Canka: Erdhi koha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2022 | 14:00

Transfertat një tabu/ Lushnja ka fiks një vit pa fituar jashtë fushe, kapiteni Canka: Erdhi koha

Kampionati po shkon drejt fundit, por Lushnja nuk ka fituar ende asnjë transfertë. Janë tetë humbje dhe pesë barazime në 13 ndeshje jashtë fushe. E fundit herë që ia kanë dalë përkon me 10 prillin e 2021- shit, kur mundnin 0-1 Elbasanin. Zyrtarisht diçka më tepër se një vit pa festuar si miq.

Canka

Një bilanc që nuk i favorizon fort, ndonëse “tabutë” janë bërë për t’u thyer. Me këtë mision udhëtojnë drejt Pezës sot verdhejeshilët, atje ku i pret Vora që zyrtarisht ka rënë në Kategorinë e Dytë.

Me një ekip të dorëzuar përballë, lushnjarët mendojnë se do ta kalojnë me sukses këtë 90- minutësh dhe marrin trepikëshin që ndoshta do t’i shpëtojë njëherë e mirë sezonin. Skuadra e drejtuar nga Agim Canaj është vetëm +1 nga zona “play out”, por shpreson te një “dhuratë” e Tërbunit. Një ndalesë e Turbinës në Pukë do të sillte një herë e mirë qetësinë në kampin lushnjar. Nëse ndodh kështu, atëherë do të thellohej diferenca me vendin e 11-të.

KAPITENI – Mikel Canka e quan të kalueshme këtë transfertë. Jo vetëm prej kundërshtarit, por prej llogarive që Lushnja ka bërë për këtë duel. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni mendon se do të marrin fitore e tretë radhazi. “E kemi vlerësuar këtë ndeshje.

Nuk kemi si të veprojmë ndryshe, pasi na duhet me patjetër trepikëshi. Kemi shumë besim dhe kjo vjen për shkak të rezultateve të fundit. Është momenti ynë dhe le ta shfrytëzojmë. Besojmë se do të arrijmë fitoren e tretë radhazi. Na mungon një fitore në transfertë. Shpreh keqardhjen, që Vora ra në të Dytën. Ne kemi një objektiv madhor dhe prandaj i kërkojmë tri pikët. Të bëjmë një lojë të mirë siç kemi bërë këto ndeshje të fundit dhe të kthehemi në Lushnjë me duart plot”, është shprehur kapiteni Canka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"