Trajneri i Korabit kërkon mrekullinë dhe arbitrim korrekt ndaj Egnatias në finalen e “Play-Out”-it: Jemi më të karikuar se kurrë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 11:10

Trajneri i Korabit kërkon mrekullinë dhe arbitrim korrekt ndaj Egnatias në finalen e “Play-Out”-it: Jemi më të karikuar se kurrë!

Korabi kërkon mrekullinë. Vërtet nuk e siguruan direkt ngjitjen në “Abissnet Superiore”, por janë ende në lojë. Pasi likuiduan në “play off” Tomorin dhe Apoloninë, kanë edhe një pengesë të fundit.

Donald Meziu

Nëse mundim rrogozhinasit në “Arena Egnatia”, atëherë do të jenë ata që do të kapin elitën. Vështirësia dihet, por dibranët janë më të karikuar se kurrë për ta kaluar finalen e madhe.

Skuadra ka mbyllur dje paradite përgatitjet dhe ka lënë Peshkopinë, për të marrë rrugën drejt kryeqytetit.

Natën e kanë kaluar në Tiranë dhe vetëm sot do të nisen në Rrogozhinë, atje ku në orën 17:00 do të luajnë të fundit ndeshje për këtë edicion futbollistik.

Grupi është i plotë dhe stafi teknik ka vendosur që në fushë të hedhë lojtarët më në formë. Masat i kanë marrë për gjithçka, përfshi edhe për shtesat e penalltitë.

Gjatë gjithë këtyre ditëve kanë prova dhe mendojnë se janë më shumë se gati për ta luajtur këtë finale “play off”-i.

Edhe pse luhet në fushën e kundërshtarit, Korabi nuk do të jetë vetëm. Bashkë me ta do të udhëtojnë edhe tifozët. Për ta ka menduar bashkia, e cila ka vendosur në dispozicion furgonë pa limit.

Një fitore e mundshme do t’u mbushë edhe “xhepat”. Kryebashkiaku ka premtuar se do të akordojë 10 milionë lekë të vjetër, nëse skuadra pret biletën për në Superiore.

TRAJNERI – Donald Mëziu është optimist para përballjes së madhe me rrogozhinasit. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thekson se skuadra është më shumë se e motivuar për ta luajtur dhe fituar këtë finale. E megjithatë, ka një merak dhe ai lidhet me gjykimin.

“Kemi pasur kohën e mjaftueshme për t’u stërvitur. Morali është i lartë dhe po ashtu dëshira për ta fituar këtë finale, që na mundëson mrekullinë.

Grupin e kemi të plotë dhe ndihemi më shumë se gati për ta luajtur këtë duel. Shpresoj të luhet futboll i ndershëm dhe i drejtë. Besojmë te një gjykim korrekt, më pas le të fitojë më i miri në fushë”, përfundoi numri një i pankinës së dibranëve.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"