Trajneri i Bajernit do fitoren në transfertën e “ferrit”: Nuk i trembemi AEK-ut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 17:34

Trajneri i Bajernit do fitoren në transfertën e “ferrit”: Nuk i trembemi AEK-ut

Trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, ka qenë dje prezent në konferencën për shtyp, të mbajtur përpara ndeshjes së sotme ndaj AEK-ut në Athinë. Gjermanët do të luajnë një ndeshje delikate në një fushë të nxehtë, por Kovaç është i sigurt që skuadra do të dijë si të menaxhojë lojën e saj. Për kroatin, trepikëshi është i vetmi rezultat për të vazhduar të qetë rrugën drejt kualifikimit.

niko kovac

Sa ka ndikuar konferenca e drejtuesve te skuadra?

E kemi ndjekur të gjithë atë konferencë, por duhet të them që lojtarët kanë dy javë që përgatiten për ndeshjen e Volfsburgut dhe tani ndaj AEK-ut. Ndërkohë, lojtarët janë mirë dhe kemi shumë pak mungesa, gjë që na i lehtëson më shumë punën. Kemi parë disa ndeshje të kundërshtarit dhe mendoj që mjafton.

Çfarë ndeshje prisni nesër (sot)?

Fitoret janë gjithmonë të rëndësishme. Këto rezultate duhet të vijnë me një lojë të bukur dhe logjike. Ne kemi ardhur për të fituar ndeshjen, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë. AEK do të ketë mundësinë e fundit për të qëndruar në garë në këtë grup. David Alaba është i vetmi lojtar që rrezikon të mos luajë, por gjendja e tij do të vlerësohet nesër (sot).

Do të luajë Tomas Myler?

Ndeshjet nuk i fitojnë vetëm ata lojtarë që janë në fushën e lojës, por edhe ata që qëndrojnë në pankinë. Ai është i gëzuar për fitoren e fundit ashtu si të gjithë ne, edhe pse nuk luajti fare. Rrotacioni është pjesë e lojës.

Sa ju ka befasuar rritja e Zyles?

Niklas është një lojtar që luan me shumë pasion. Më pëlqen gjakftohtësia e tij. Ai ka aftësi shumë të mira, këtë e tregoi edhe në ndeshjen e parë ndaj Hofenhaimit. Në aspektin fizik është shumë i fortë dhe ka një shpejtësi të madhe. Fiton pothuajse çdo dyluftim të mundshëm. Eksperienca që po grumbullon tani do t’i shërbejë për të ardhmen.

Sa i druheni AEK-ut?

Nuk kam frikë, por respekt të madh për AEK-un. Ajo është një skuadër që në ndeshjet në shtëpi shtyhet për të luajtur gjithmonë në sulm. Ne e dimë shumë mirë se sa të rëndësishëm janë tifozët për një skuadër. Skuadrës i kam thënë që na pret një ndeshje e “nxehtë” në Athinë. Të gjithë lojtarët grekë janë shumë të mirë teknikisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"