Topllari: Kartonët Pogradecit i jepen lehtë, e rimarrim kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 16:56

Topllari: Kartonët Pogradecit i jepen lehtë, e rimarrim kreun

Pogradeci e dorëzoi kreun pas humbjes me Apoloninë në Fier. E megjithatë, të besuarit e Ardjan Abazajt janë të bindur që do ta rimarrin vendin e parë shumë shpejt. I këtij mendimi është edhe Eldjon Topllari, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” nuk e quan dramë atë që ngjau në Fier. Sulmuesi e pranon që janë duke shpërdoruar shumë para porte, por paralajmëron zhbllokimin. Ai nuk do të luajë në ndeshjen e radhës për shkak të numrit të të verdhëve, por evidenton se gjyqtarët ndaj tyre i japin aq lehtësisht kartonët. pogradeci

Humbja në Fier, a ju largon nga lufta për vendin e parë? 

Ka qenë thjesht një betejë e humbur, por kjo ndeshje nuk vendosi fatet e një sezoni. Ne e kemi thënë se kishte rëndësi, por jo aq sa të demoralizohemi. Madje, ai hap i gabuar me Apoloninë na motivon edhe më shumë për të luftuar për vendin e parë, pasi kemi parë forcën reale të kundërshtarit. Sot themi me bindje se jemi shumë më lart.

Shumë kartonë ndaj Apolonisë… 

Kartonët ndaj nesh janë dhënë për protesta ndaj gjyqtarit dhe kjo ka një domethënie. Kanë qenë edhe momente të veçanta të lojës ku edhe kemi gabuar, por unë dua t’ju sjell në vëmendje ndeshjen kundër Orikumit, ku kemi parë nëntë kartonë të verdhë dhe dy të kuq. Shiheni dhe komentojeni vetë. Mund të them se nuk është rastësi.

Për shkak të kartonëve edhe ju nuk do të luani kundër Lushnjës?

Më vjen keq për këtë. Ndeshje të tilla të kësaj rëndësie nuk do të dëshironte asnjë futbollist t’i humbiste. Megjithatë, unë besoj se ky grup edhe pa mua do të arrijë të marrë një fitore.pogradeci

 Si e parashikoni duelin me Lushnjën? 

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë. Lushnja është një ekip me mjaft futbollistë cilësorë. Ne e kemi vlerësuar kundërshtarin, por realisht jemi më lart se ai. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe më vjen keq që do ta shoh nga shkallët e stadiumit. Besoj se do të kem emocion më shumë se në fushë.

Keni shënuar vetëm dy gola deri më tani. A janë pak…? 

Po. Janë shumë larg objektivit tim personal, por kjo nuk është primare në një ekip. Rëndësi ka fakti se ne duhet të shënojmë si ekip dhe të arrijmë objektivin. Po të shohësh, ne jemi një skuadër që kemi shpërndarje të golave thuajse në të gjithë futbollistët. Kjo flet për forcën tonë sulmuese.

Pogradeci krijon shumë raste, por shpërdoron po kaq. Çfarë po ndodh me sulmuesit? 

Mendoj se duhet të jemi më të përqendruar në momentet e fundit, pra në finalizim. Ky ka qenë një ngërç i momentit dhe shpresoj që në takimin e radhës të mos shpërdorojmë, pasi edhe rastet nuk do të jenë të shumta. Të mos harrojmë që luajmë përballë një kundërshtari të nivelit të lartë si Lushnja.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"