Tiranën nuk e ndalojnë as rregullat, e pranon portieri: Nuk e kemi lënë në asnjë moment stërvitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2020 | 9:48

Tiranën nuk e ndalojnë as rregullat, e pranon portieri: Nuk e kemi lënë në asnjë moment stërvitjen

Ilion Lika është i bindur se Tirana e fiton titullin e 25-të në histori. Pandemia e Koronavirusit që shpërtheu në gjithë globin e ka zbehur disi euforinë te bardheblutë e Tiranës, të cilët kishin nisur përgatitjet, për të festuar në mënyrën më të mirë të mundshme 100-vjetorin. 24 herë kampionët e vendit ishin më pranë se kurrë fitimit të titullit të 25-të, teksa situata paraqitet tepër kaotike për sa u përket fateve të këtij sezoni të lënë pezull.ilion lika

Gjithsesi, pavarësisht se është e ndaluar, bardheblutë nuk e kanë lënë asnjëherë stërvitjen, edhe pse jashtë rregullave. Këtë gjë e ka pohuar edhe portieri veteran, Ilion Lika, i cili në një prononcim të fundit për “RTSH Sport” u shpreh i bindur se futbolli duhet të vazhdojë, ashtu siç ka vazhduar stërvitja te bardheblutë.

“Ne kemi dy terrene shumë të mira që bëjnë 10-15 mijë metra katrorë, kemi patur mundësinë të stërvitemi me grupe të veçanta me 4-5-6 veta në një zonë të madhe duke ruajtur distancën. Nuk ka qenë problem, kemi qenë më të mbrojtur se njerëzit në punë të ndryshme, nuk e kemi lënë në asnjë moment stërvitjen”, është shprehur në fillim Lika.

Për portierin titulli dhe rinisja e sezonit nuk është në dorë të Tiranës. “Asgjë nuk është në dorë as të Tiranës e as klubi tjetër, e as federatës, me gjithë dëshirën e mirë të FSHF-së që të fillojë kampionati. Gjithçka është në dorën e organeve kompetente, ndërhyn shteti që duhet të japë verdiktin. Por ne jemi komod, sido që të vijë puna jemi 9 pikë para, sido të mbyllet besoj se do shpallemi kampionë dhe e meritojmë”, vazhdoi më tej ai.ilion lika

Në fund dy fjalë për futbollin dhe a i mungon Ilion Likës? “Ndeshja ka specifikë tjetër se ato kanë të bëjnë me tifozërinë, me televizionet, me shumë gjëra, ndeshjet japin atmosferë tjetër, na mungon shumë. Ne kishim ecuri shumë pozitive, çaste të bukura që na mungojnë dhe shpresojmë të kthehen sa më shpejt. Jam i mendimit që kampionati të vazhdojë dhe të vendoset në sajë të garës që do të zhvillohet”, tha gardiani i bardhebluve. Ky i fundit është kapiteni i tretë i skuadrës pas Erando Karabecit dhe Gentian Muçës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"