Tirana si Bajern Mynih, i “vodhi” tre kapitenë radhazi Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2021 | 15:52

Tirana si Bajern Mynih, i “vodhi” tre kapitenë radhazi Dinamos

Tirana dhe Dinamo janë dy skuadrat me më shumë tituj kampionë në vend, bardheblutë me 25 dhe blutë me 18. Pavarësisht rivalitetit sportiv, janë dy skuadra që kanë pasur marrëdhënie shumë të mira ndër vite mes tyre. Në periudhën e demokracisë, në futbollin e ekonomisë së tregut, kur lojtarët merren të gatshëm për të plotësuar edhe objektivat afatshkurtra, ka pasur një moment kur Tirana ka ndjekur rrugën më të shkurtër, duke e “vjedhur” Dinamon.

jupiiii

 

Më saktë, i ka “vjedhur” asaj lojtarët kryesorë, ata që mbanin në krah shiritin e kapitenit dhe kuptohet se sa mund të dëmtohet një skuadër, kur i ikën ai që konsiderohet trajneri në fushë. Me një politikë “alla Bajern” (merr më të mirët e rivalëve dhe titulli është i garantuar), nga 2002-shi në 2005-ën, Tirana mori nga blutë 3 kapitenët Redi Jupi, Luan Pinari dhe Arjan Pisha.

JUPI – Ish-mesfushori Redi Jupi la Tiranën për Dinamon në vitin 2002, pasi u shpall kampion i vendit me blutë. Ishte pa dyshim më i miri në rolin e tij, një lojtar me shumë kualitet dhe personalitet. Bashkë me Jupin, Tirana mori nga Dinamoja edhe sulmuesin Fjodor Xhafa. Menjëherë Jupi u shpall kampion edhe me Tiranën dhe më pas luajti në Turqi me Diabakirsporin dhe me Kombëtaren e Shqipërisë. Pati edhe një rikthim te Dinamo në 2006-ën, madje provoi të bënte edhe lojtarin trajner. Ka luajtur me të tria skuadrat e kryeqytetit, por siç e ka pohuar vetë, mbetet një dinamovit në zemër.

PINARI – Në vitin 2003 ishte ish-mbrojtësi Pinari, ai që trashëgoi shiritin nga Jupi, që la Dinamon për të zënë vend në mbrojtjen e Tiranës. Kjo skuadër kishte nevojë për një lojtar me përvojë në mbrojtje në atë kohë. Ku do ta gjente? Te Dinamo kishte kampionë që jepnin garanci dhe kështu Pinari u vesh bardheblu. Edhe ai u rikthye te Dinamo dhe më pas veshi edhe fanellën e Partizanit, duke plotësuar spektrin e tri ekipeve të kryeqytetit. Sigurisht, është edhe ai një dinamovit i lindur, i lidhur fort me ekipin, që e kishte selinë vetëm pak metra larg shtëpisë së ish-mbrojtësit.

PISHA – Ish-mbrojtësi Arjan Pisha është kapiteni i tretë radhazi që Tirana ia rrëmbeu Dinamos. Elbasanasi ishte shpallur kampion bashkë me Jupin dhe Pinarin te blutë dhe në 2005-ën u bë bardheblu, sepse Tirana përsëri kishte nevojë për një mbrojtës kalibri dhe ku mund të gjente tjetër, veçse të rivalët e Dinamos. Ashtu si dy kapitenët e tjerë, edhe Pisha u rikthye te Dinamo, por ndryshe nga Jupi dhe Pinari, ai doli sërish kampion me fanellën blu.

TË TJERË – Ka edhe lojtarë të tjerë që kanë luajtur me Dinamon në vitet e demokracisë dhe më pas janë veshur bardheblu. Portieri Ilion Lika, mbrojtësi Erjon Xhafa, mesfushorët Engert Bakalli, Erald Deliallisi, Nertil Ferraj dhe sulmuesi Daniel Xhafaj, sa për të përmendur disa emra…

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"