Tirana nuk i llogarit shtesat, Ze Maria i pavendosur për formacionin ndaj Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2017 | 10:28

Tirana nuk i llogarit shtesat, Ze Maria i pavendosur për formacionin ndaj Besës

Tirana nuk do “blof” në Kupën e Shqipërisë. Ky trofe është objektiv madhor për bardheblutë dhe në kësi kushtesh Ze Maria ka marrë që të gjitha masat që në 90 minutat e sotme të mos ketë surpriza të pakëndshme. Edhe pse është evituar grumbullimi para ndeshjes me Besën, e cila starton në orën 15:30, trajneri u ka kërkuar lojtarëve që të jenë në gatishmëri.

Tirana

Grupi do të drekojë dhe më pas do të niset drejt “Skënder Halili”-t për të pritur Besën. “Dua që të gjithë të jeni gati për këtë takim”, mësohet t’u ketë thënë bardhebluve braziliani. Formacioni me pak fjalë është një “rebus”, pasi as vetë stafi teknik nuk e ka ndarë mendjen nëse do të fushë titullarët, rezervat, apo një 11-she të alternuar.

Gjithçka varet nga kundërshtari. Në rast se Besa do të hedhë në fushë më të mirët, të njëjtën gjë pritet që bëjë edhe Ze Maria. Në të kundërt, atëherë edhe ai do të rreshtojë lojtarët që nuk kanë marrë shumë minuta gjatë startit të kampionatit. Gjatë seancës së djeshme, ai, në fakt, e krijoi një ide të formacionit, me Shehrin në portë dhe me Nurin, Bishajn, Uellisonin dhe Çelhakën në mbrojtje.

Mesi i fushës iu besua Qilimit dhe Mavejes, ndërsa më i avancuar Binguila, i cili pritet që të jetë titullar. Sulmi do të jetë i anglezit Ngoo, ndërsa në krahë priten Greca me Halilin. Por ky është vetëm një variant, pasi nuk përjashtohet mundësia që të luajnë edhe Lika, Kërçiku, Hoxhallari, Daja, Karabeci, Doka dhe Sentamu.

Edhe pse stafi teknik do që të evitojë rrezikun, vendimi i klubit për ta luajtur në “Skënder Halili” përkthehet me një siguri për kualifikimin. Në Kavajë fituan 2-1, ndaj dashur pa dashur gjithçka mbetet e hapur. Kujtojmë që në fushën me bar natyral të këtij kompleksi nuk ka projektorë, çka do të thotë që Tirana nuk e çon ndër mend që ky duel mund të shkojë deri te shtesat. Në rast se ndodh kështu, atëherë pritet që të ketë vështirësi me shikimin, pasi në atë orar nis që të errësohet.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"