“Tirana na i nxorri lojtarët nga kodi”, trajneri i Luftëtarit: Sot ndaj Partizanit do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2020 | 15:18

“Tirana na i nxorri lojtarët nga kodi”, trajneri i Luftëtarit: Sot ndaj Partizanit do të…

Neritan Novi “skanon” Luftëtarin dhe rënien matematikore nga kategoria. Ajo humbje ndaj Tiranës la shije të hidhur, e megjithatë trajneri qartëson se ana psikologjike dhe mungesa e përvojës bën të vetën. Të vështirë e quan edhe ndeshjen e nesërme, ku përballë kanë një tjetër kryeqytetase. Në deklaratën e dhënë dje për “Panorama Sport”, ai sqaroi edhe historinë e përplasjeve në fushë dhe çështjen “Açka”.
novi

“Në ndeshjen e fundit, kemi bërë një nga lojërat më të dobëta të kampionatit. Por dua t’ju them se çunat ishin të ngarkuar psikologjikisht. Luanin përballë ekipit më të mirë të Superiores, siç e kam thënë dhe herë tjetër. Ndoshta goli i shpejtë i Tiranës na i nxori nga ‘kodi’ lojtarët. Ndikoi dhe mungesa e eksperiencës. Oshilacionet vijnë prej moshës së re dhe po të shikosh brenda një kohe të caktuar kanë luajtur shumë futbollistë. Gati-gati janë aktivizuar mbi 20 sportistë, kushtëzuar edhe prej dëmtimeve apo formës së munguar. Nuk ka të bëjë me disiplinën. Edhe pse ka pasur ndonjë zënkë midis lojtarëve, ato janë të pranishme në futboll. Në një moment i hapin rrugë njëri-tjetrit e më pas ia zënë, ndaj besoj se këto përplasje nuk kanë ndikuar në ecurinë tonë.
PARTIZANI
Tani luajmë me Partizanin, edhe pse kemi rënë nga kategoria, do e vlerësojmë maksimalisht këtë 90-minutësh. Janë kampionët në fuqi dhe pavarësisht  rezultateve të fundit, ata dinë ta kthejnë rezultatin. Ndaj nuk ka vend për nënvlerësim. Megjithatë, në elite nuk ka asnjë ndeshje të thjeshtë. Ajo që është më e lehta, bëhet më e vështira. Nuk ka ekipe të dobëta dhe të forta. Të dielën nuk do kemi mungesa decizive. Na rikthehet Isufi pas një dëmtimi të gjatë dhe Dragoshi. Açka nuk do rikthehet nesër në formacion, pasi nuk ka gjendjen fizike. Luftëtari do ta mbyllë me dinjitet këtë kampionat, e më pas do të ulemi dhe do ndërtojmë një plan për rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë Superiore”, përfundoi trajneri.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"