Tifozët ngacmojnë Da Silvën, Telushi “i shkatërruar” në fund/ Ja pikantet e duelit Kukësi-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2023 | 20:35

Tifozët ngacmojnë Da Silvën, Telushi “i shkatërruar” në fund/ Ja pikantet e duelit Kukësi-Partizani

“Panorama Sport” ju sjell momentet pikante të ndeshjes mes Partizanit dhe Kukësit, e zhvilluar në qytetin verilindor dhe e vendosur nga goli i Gjelbrim Taipit.

Kukesi

*Kamera inkuadron ultrasit e Partizanit dhe këta të fundit i bëjnë me shenjë të mos i filmojë.

*Marçelino Preka zhvilloi dje ndeshjen e parë si titullar për Partizanin në Kategorinë Superiore. Mbrojtësi pati debutuar në sfidën ndaj Erzenit në javën e kaluar në stadiumin “Partizani”.

*Gjyqtari Hamiti në një moment mund të linte avantazh për Kukësin, por vërshëllen për një faull dhe më pas kërkon falje. Vërshëllima i vjen në mënyrë instiktive dhe mirëkuptohet nga verilindorët.

*Tifozët e Kukësit duket se nuk e pëlqejnë aspak praninë e Viktor da Silvës në fushë dhe sa herë braziliani prek topin, vijnë brohorima kundër mesfushorit, që u aktivizua në pjesën e dytë.

*Dy presidentët e klubeve, Gazment Demi i Partizanit dhe Safet Gjici i Kukësit, e shohin ndeshjen pranë njëri-tjetrit, të shoqëruar nga miqtë e tyre.

*Duke parë orarin në të cilin u zhvillua ndeshja, mund të themi se kishte një prani të kënaqshme të tifozëve. Në stadium ishin rreth 2 mijë të pranishëm.

*Trajneri Kolela përpiqet t’u japë zemër në çdo moment të tijve. Fjala “bravo” dëgjohet thuajse në çdo finalizim aksioni të të kuqve, pavarësisht se përfundimi nuk është i duhuri. Më pas në një moment ai irritohet, teksa pas një krosi të gabuar shihet të thotë në gjuhën italiane: “Asnjë i saktë, asnjë”.

*Në fund kapiteni Telushi, dukshëm i zhgënjyer, shkon të flasë me tifozët, teksa mimika e tij dhe duart e kapura te rrjeta tregojnë qartë zhgënjimin e vlonjatit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"