EKSKLUZIVE/ Flamurtari kërkoi shtyrjen e ndeshjes me Laçin, Idrizi: Nuk prostituojmë në emër të futbollit, të tjerët mund të blejnë arbitrat dhe lojtarë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2024 | 0:23

EKSKLUZIVE/ Flamurtari kërkoi shtyrjen e ndeshjes me Laçin, Idrizi: Nuk prostituojmë në emër të futbollit, të tjerët mund të blejnë arbitrat dhe lojtarë (E PLOTË)

Administratori Sinan Idrizi thotë se në Laç do të fitojë tradita dhe jo suksesi. Nuk e fsheh respektin dhe vlerësimin për kundërshtarin dhe presidentin Pashk Laska, por ka bindjen se triumfon Flamurtari i tij. Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Idrizi tha se për vlonjatët premio më e mirë është fanella sesa ajo financiare.

SINAN IDRIZI

Nuk mungojnë thumbimet për FSHF-në si organizatore e garës dhe disa presidentë klubesh, që sipas tij luajnë nën tavolinë. Ai pohon se Flamurtari nuk bëhet kurrë burracak që të prostituojë në emër të futbollit. Idrizi zbulon se FSHF-ja nuk mori parasysh kërkesën e klubit vlonjat për të shtyrë ndeshjen me Laçin për shkak të lodhjes, ndërsa është i bindur se formula e FSHF-së ka dështuar me kohë.

Çfarë kërkon Sinan Idrizi nga skuadra e Flamurtarit?
Pritshmëria është e gjatë. Qyteti pret Flamurtarin në Superiore. Fati i keq është që luajmë me një superekip të futbollit, siç është Laçi. Është ekipi që prodhon më shumë nga të gjithë futboll në Shqipëri. Prodhon futboll vendas, bio, por jam i sigurt që do t’ia dalim.

Laçi është fushë e vështirë, ju frikëson kjo gjë?
Një fushë që ka dominuar futbollin shqiptar të paktën në 10 vitet e fundit në elitë. Ne na takon që të ndeshemi me më të fortët. Unë them gjithmonë që Laçi është ndër dy klubet më të mira në Shqipëri për organizimin e futbollit, të mos them që është i pari. Ka një staf, ka një president që jeton me futbollin. Është një histori tjetër, histori suksesi. Tani kjo punë kështu është, ata kanë sukses ne kemi traditën.

Dhe kush fiton të dielën, suksesi apo tradita?
Jam i sigurt që tradita fiton mbi suksesin. Është problemi, që thonë çakalli i ri apo ujku i vjetër. Sido që vjen puna, ujku i vjetër do ta ketë një dhëmb.

Flamurtari duket i rraskapitur, pasi në dy javë ka luajtur pesë ndeshje, por edhe me shtesë e penallti me Apoloninë, si e shikoni?
Shumë rraskapitëse ishte nga të gjitha drejtimet. Këta që organizojnë garën, jam i sigurt që nuk janë fare të kujdesshëm te kjo histori. Nuk po flas tani çfarë kemi luajtur ne dhe çfarë kanë luajtur ata. Po ta kishin menduar më gjatë…Ne dërguam një letër për ta shtyrë ndeshjen, por nuk na dhanë përgjigje pozitive. Si duket janë ato 10 urdhëresat që nuk ju ndëshkojmë dot dhe kaq.

Si e lexoni përgjigjen negative të FSHF-së?
Federatë, Federatë thua ti…Unë them që është një histori që duhet të tregoheshin pak më luajal. Duhet të kishin plotësuar dëshirat e të gjitha klubeve. Ata marrin vendime drastike. Kemi luajtur dy ndeshje të forta për tre ditë, të tejzgjatura e me mundime. Ekipi tjetër vjen i qetësuar, i qartë, i mirë me pushime dhe kohë të mjaftueshme. Këta nuk e shikojnë të arsyeshme dhe kaq. Ky është problemi i organizimit të garës në Shqipëri, që gjithmonë ka një problem, ka një kleçkë. Ne nuk bëjmë qaramanin. Këto janë kushtet, por kjo mënyrë organizimi nuk të çon te suksesi. Nëse këta që organizojnë garat do të thonë që kemi pasur një formulë suksesi, kemi arritur këto dhe ato objektiva, në rastin konkret është një dështim si formulë.

Presidenti i Apolonisë Kokëdhima u ka vlerësuar për garë “fair play”. Si e komentoni?
Edhe kur shkoj në betejë, dua të bie si burrat, jo si burrecët. Shumica e drejtuesve të klubeve janë lojtarë tavolinash. Unë nuk ulem kurrë në tavolinë me asnjë për ndeshjet. Nuk ka shanse. U habitën të gjithë që ne kemi vënë një premio 200 milionë lekë, sepse luajmë si burrat. Të tjerët me kaq lekë dhe me gjysmat e tyre mund të blejnë arbitrat, mund të blejnë lojtarë, mund të na futen në ekip, siç na janë futur ne në disa ndeshje, që u janë futur arbitrave. Flamurtari në kohën time nuk ka shanse që t’i bëjë këto gjëra. Mund të bjerë, të humbasë, të shkojë në vendin e tretë, por biem si burrat. Kaq fuqi kemi, por kurrë nuk bëhemi burracakë dhe kurrë nuk prostituojmë në emër të futbollit. Nuk ka shanse.

Duke mos u bërë pjesë e kësaj vorbulle, a e keni dëmtuar skuadrën?
Ti thua tani, që unë flas për shprehjen që në një lagje të mbushur me prostituta, duhet të bëhem edhe unë prostitutë. Jo! Secili ka emrin dhe karakterin e tij. E përsëris, nëse mbaj dështimet që e çova Flamurtarin një kategori më poshtë, mbaj edhe krenarinë që kurrë nuk kam bërë pazar në emër të ekipit. Nuk ka shanse që të vijnë e të më thonë mua, ti i ke telefonuar një arbitër, ke telefonuar një zyrtar të FSHF-së për diçka, nuk ka shanse. Unë i jam drejtuar gjithmonë fushës. Kam qejf burrat që bien në fushë, nuk kam qejf zvarranikët. Unë bie në fushëbetejë, zvarranikët janë zvarranikë gjithë jetën. Ata të hanë pas krahëve, të hanë nën tavolinë me këto skema. Në dy vitet e fundit që ne jemi në këtë kategori, ekipet që kanë vajtur një kategori më lartë, gjithmonë kanë fituar trefishin e penalltive që ka ekipi i vendit të dytë. Këto janë çudirat shqiptare. Këta janë të zotë se dinë të blejnë e shesin ndeshje, të bëjnë konjuktura e në fund, stadiumet bosh.

I druheni kësaj në ndeshjen me Laçin?
Jo, nuk besoj. Kur thashë që Laçi ka akademi futbolli, e kisha se ka një staf njerëzish me presidentin që jeton me futbollin. Pjesa tjetër është përgjegjësi e atyre që organizojnë garën. Rasti i fundit ishte ndeshje me Apoloninë në Elbasan. Rasti i VAR-it ishte shumë korrekt. Nuk e dinim kush ishte drejtues i VAR-it në atë ndeshje, por një histori korrekte e drejtimit të ndeshjes.

Por VAR-i në Elbasan ju anuloi një gol, apo jo?
Kjo është historia e Maliqit. Ligji në dorën e Maliqit ekziston në bazë të udhëzimeve. Kur u thuhet luani ndershëm, luhet ndershëm. Ajo ndeshja e kaluar ishte një turp i atyre që organizojnë garën. Turpi është i yti jo i imi. Nëse ti futesh në fushë si burracak dhe këta që hanë hakun e tjetrin është histori tjetër. Lëre të luajmë në fushë, kaq është kërkesa ime. Nuk ka shanse që unë të takoj njeri, të flas me njeri, të njoh një organizator gare. Të tjerët i bëjnë këto pa përjashtim. Përjashto dy-tre miq që janë civil nga mentaliteti.

200 mijë euro, një premio e majme apo jo?
E majme, e pamajme, ky është Flamurtari. Nuk ka premio te Flamurtari më të madhe nga premio e fanellës. Motivimi i djemve, jam i sigurt që nuk lidhet vetëm me premion e parave, por edhe me premion e fanellës. Ju e patë atë ditë, që gjithë qyteti shikonte penalltitë. Jam i sigurt që me këta djem do t’ia dalim.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"