Thellohet skandali, presidenti Bezhani i drejtohet sërish prokurorisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2019 | 17:47

Thellohet skandali, presidenti Bezhani i drejtohet sërish prokurorisë

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar vijon të prodhojë konflikte dhe akuzat për shkelje shtohen çdo ditë. Siç dihet, presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, ka bërë disa padi ndaj sekretarit të përgjithshëm Stavri Bello dhe ndaj anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për shkeljet e rënda që kanë ndodhur. Së fundmi, ka shpërthyer një tjetër skandal në KOKSH, i cili ka të bëjë me dhënien e bursave të sportistëve. 

viron bezhani

Disa ditë më parë, KOKSH lidhi një kontratë me Federatën e Skive, ku dy skiatorët Erjon Tola dhe Exio Leoneti, nëpërmjet Solidaritetit Olimpik, do të përfitojnë nga 1500 dollarë secili për një periudhë 3-vjeçare. Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar presidentin e KOKSH, Viron Bezhanin, dhe i pyetur për kontratën e firmosur nga KOKSH me Federatën e Skive, ai shprehet se kemi të bëjmë me një tjetër shkelje të rëndë, për të cilën i është drejtuar sërish prokurorisë: “Unë kam bërë sot (dje) një tjetër padi për rastin më të fundit, ku KOKSH ka lidhur kontratë me Federatën e Skive për dy skiatorët që do të përfitojnë nga 1500 dollarë në muaj secili për tri vite.

Një vendim i marrë sërish duke bërë shkelje, pasi edhe një herë tjetër është anashkaluar Komisioni Teknik. Pa harruar edhe padinë e bërë për 6 anëtarët që kanë firmosur në mënyrë të jashtëligjshme shkarkimin tim dhe gjithashtu një tjetër padi për zv.presidentin Vojo Malo që organizon mbledhje të jashtëligjshme”, shprehet Bezhani. Kreu i KOKSH edhe një herë tjetër sqaron mënyrën se si duhet vepruar për këto raste, duke thënë se po vijohet të shkelet statuti:

bezhani

“Për dhënien e këtyre bursave duhet patjetër që të mblidhet Komisioni Teknik dhe i takon këtij komisioni që të marrë vendimin, pasi kjo shumë mund të shkojë për një sportist, për dy apo edhe për më shumë. Por vendimi i takon vetëm Komisionit Teknik dhe jo sekretarit. Nga ka dalë ky vendim për shumën që do të marrin këta sportistë dhe, më e rëndësishmja, kush është ai që e lidh kontratën në këtë lloj forme? Këtu kemi një shkelje të statutit, pasi në statut thuhet se është presidenti ai që mund ta lidhë kontratën dhe jo sekretari.

Bezhani55

Në prokurori kam vajtur edhe për të dhënë dokumentacionet që vërtetojnë shkeljet e mëdha të bëra nga sekretari i përgjithshëm Stavri Bello, duke nisur që me veprimet bankare e gjithçka tjetër”, përfundon prononcimin e tij Viron Bezhani. Kujtojmë se në KOKSH prej disa kohësh ekziston një situatë paradoksale, ku Komiteti Ekzekutiv ka firmosur shkarkimin e presidentit Viron Bezhani, ndërsa ky i fundit ka njoftuar të gjitha federatat që të ndërpresin marrëdhëniet me sekretarin Stavri Bello, duke e konsideruar të shkarkuar.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"