Teuta në provën e së vërtetës ndaj “makthit” Laçi, ja sa ndeshje kanë pa fituar kundër kurbinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2021 | 15:53

Teuta në provën e së vërtetës ndaj “makthit” Laçi, ja sa ndeshje kanë pa fituar kundër kurbinasve

Teuta ka pësuar veçse dy humbje këtë kampionat, duke qenë ekipi i vetëm që e ndien më pak se të gjithë shijen e disfatës. Vllaznia dhe Laçi janë skuadrat që e kanë mposhtur minimalisht 1-0 Teutën, por durrsakët, pavarësisht se këtë sezon kanë koleksionuar plot 13 barazime, sërish e shohin veten vetëm dy pikë më pak se shkodranët kryesues. Për javën e 26-të skuadra e drejtuar nga Edi Martini pret rivalët e Laçit në stadiumin “Niko Dovana” më 3 prill.

Teuta

“Djemtë e detit” kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta përgatitur më së miri një takim ku fitorja do të ishte rezultati më i preferuar në këtë moment delikat të kampionatit. Pas barazimit pa gola ndaj Partizanit, durrsakët kanë rinisur përgatitjet dhe për fat të mirë deri më tani grupi është i plotë, pasi është rikthyer edhe sulmuesi Ildi Gruda. Statistikat – Teuta ka gjashtë ndeshje radhazi në kampionat që nuk fiton dot ndaj Laçit.

Kurbinasit janë kthyer në makth, për vetë faktin se në 6 takimet e fundit kanë mposhtur 4 herë Teutën dhe në dy raste ndeshjet kanë përfunduar në barazim. Për të gjetur triumfin e fundit të durrsakëve duhet të kthehemi në sezonin 2018-2019. Pikërisht më 30 maj 2019, “djemtë e detit” mposhtin me shifrat 2-0 Laçin në stadiumin “Niko Dovana”, në ndeshjen e vlefshme për javën e fundit të kampionatit. Në kohën shtesë shënonin Sherif Kallaku dhe Sekou Kamara. Tashmë më 3 prill “djemtë e detit” duan revansh ndaj një ekipi që u ka hapur punë vitet e fundit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"