Teuta, goleadë dhe shpresë për titullin, Pogradeci konfrimon “rënien e lirë”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2012 | 10:53

Teuta, goleadë dhe shpresë për titullin, Pogradeci konfrimon “rënien e lirë”…

TEUTA – POGRADECI  5-3
GOLAT: Osmani 3′(11-m), Jakupi 18′, Nika 24′, Tairi 38′, A.Hoxha 58′ / Eminhazeri 48′, Baze 68′, Kllogjeri 70′
TEUTA: Rizvani, Stafa, Sheta, Osmani, Stafa, Tairi, A.Hoxha, Hyshmeri, Mancaku (Dosti 66′), Nika (Deliallisi 89′), Çota (Pajaziti 63′). Trajner: H.Lika
POGRADECI: Petrovski, Kllogjeri, Çerepi, Lako, Çipi (Baze 65′), Çajku, Idrizi (Shkullaku 46′), Larti, Eminhazeri, G.Çekiçi, Elmazi (A.Çekiçi 46′). Trajner: Y.Çekiçi
KARTONË TË VERDHË: Mancaku 20′ / G.Çekiçi 22′
KARTON I KUQ: G.Çekiçi 90’
VËZHGUES: M.Shkëmbi
DELEGAT: P.Kotherja
GJYQTARET: A.Janku, A.Pregja, G.Qirici

MINUTAT
3′ Mancaku pengohet brenda zonës së mbrojtjes dhe Janku sinjalizon për 11-metërsh. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër Osmani, i cili gjuan fort dhe mposht portierin Petrovski.
10′ Çota brenda zonës ka një rast ideal për të shënuar, por shpërdoron para porte.
18′ Kros i Tairit në afërsi të kuadratit të portës pogradecare dhe mbrojtësi Jakupi, i ardhur në mbështetje të sulmit, shënon golin e dytë për Teutën.
24′ Nika finalizon me sukses një sulm të Teutës dhe trefishon rezultatin.
38′ Tairi shënon një eurogol. Goditja e tij nga distanca “prodhoi” golin e katërt për durrsakët.
48′ Eminhazeri ndodhet i pambuluar nga mbrojtësit durrsakë dhe me kokë shkurton diferencën e golave, 4-1.
58′ Altin Hoxha provon të gjuajë nga distanca dhe me sukses. Topi, pasi përplaset në shtyllën pingule në të majtë të Petrovskit, përfundon në rrjetë dhe 5-1.
68′ Baze i sapofutur në lojë gjatë pjesës së dytë shënon në afërsi golin e dytë për miqtë, duke ngushtuar rezultatin.
70′ Vjen goli i tretë i liqenorëve. Mbrojtësi Kllogjeri në ndihmë të sulmit nuk e ka të vështirë ta mposhtë portierin e Teutës, Bledian Rizvani, dhe 5-3.

Teuta është rikthyer jo vetëm te fitorja, por edhe te goleada në takimin e djeshëm ndaj Pogradecit, të cilin e ka mundur me rezultatin tenistik 5-3. Është një rezultat i pazakontë ky, i arritur në “Niko Dovana” për sezone e sezone të tëra. Kjo ishte ndeshja e 18- të e Teutës në bilancin me liqenorët, ku treguesit pozitivë të durrsakëve shtrihen edhe më tej: kanë arritur 11 fitore, humbur 2 ndeshje, ndërsa 5 të tjerat janë mbyllur në barazim, me golavarazh 30:10. Dhe ndeshja e djeshme, e cila mbylli siparin e takimeve të këtij sezoni në “Niko Dovana”, ishte vazhdim i epërsisë tradicionale që kanë krijuar “djemtë e detit” ndaj liqenorëve. Me fitoren e djeshme, Teuta ruajti të njëjtën diferencë prej 1 pikë me Skënderbeun, duke shpresuar te surpriza në 90 minutat e fundit të kampionatit.
Pjesa e parë – Për të evituar hapin fals të hedhur në takimin e javës së kaluar me Kamzën, trajneri Lika i kishte orientuar të tijtë të ushtronin presing nga minuta e parë. Aktivizimi i Mancakut ishte bërë me të vetmin qëllim për t’i dhënë impuls lojës sulmuese. Dhe ai ishte me fat, pasi fitoi një penallti që në minutën e tretë. Janku nuk hezitoi dhe ndonëse miqtë kontestuan, 11-metërshi i dhënë u gjuajt nga qendërmbrojtësi Osmani, i cili e shndërroi atë në gol. Vendësit në delir, çorientohen miqtë, të cilët bënë gabime të vazhdueshme, duke ia lehtësuar barrën Teutës në sulm. Mbrojtësi anësor Stafa dhe Jakupi ngjasonin me sulmues krahu, ndërsa në qendër depërtonin me radhë Hyshmeri, Çota, Tairi, Altin Hoxha dhe Nika. Këta bënë kërdinë mbi mbrojtjen pogradecare, duke e “copëtuar” rrjetën e saj sa herë të donin. Shënojnë me radhë Jakupi, Nika dhe Tairi. Ky i fundit realizoi një eurogol me një kthesë të shpejtë, duke mposhtur portierin Petrovski, i cili hutohet. I vetmi moment për të shënuar për miqtë ishte minuta 40, kur Elmazi gjuan fort nga një goditje dënimi dhe Rizvani pret me vështirësi.
Pjesa e dytë – Ritmi i ndeshjes në këtë fraksion loje ra. Durrsakët thuajse nuk e ndjenë golin e Eminhazerit. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë, se disa minuta pas këtij çasti Altin Hoxha shkarkon të djathtën e tij dhe bën që të marrë zjarr për të pestën herë rrjeta e Petrovskit. Pogradecarët dorëzojnë plotësisht armët, por edhe Teuta duket se tregohet e mëshirshme, për të mos e kaluar kundërshtarin në fatkeqësinë e një humbje fatale dhe me përmasa historike. Durrsakët tregohen “zemërgjerë”, teksa ulin ritmin dhe më shumë e endin topin pa ndonjë ide. Nga kjo përfitojnë liqenorët, të cilët sado që shënojnë dy gola të bukur me anë të Bazes dhe Kllogjerit, nuk mund të hiqnin nga shpatullat e tyre peshën tejet të rëndë të pesë golave të pësuar. Të dy ekipet e përfundojnë lojën me besime të ndryshme: Teuta të fitojë titullin, të cilin e ka në dorë Pogradeci dhe po kjo skuadër të realizojë ndoshta një nga surprizat më të mëdha të futbollit të saj për të mposhtur Skënderbeun.

MË I MIRI
Altin Hoxha ishte pa dyshim një nga lojtarët më të mirë në fushën e blertë. Jo vetëm që ishte aktiv në organizimin e sulmit të Teutës, por falë përgatitjes fizike dha ndihmesë në lojën mbrojtëse. Madje duke shfrytëzuar cilësitë teknike në gjuajtjet nga distanca u bë edhe autori i një goli. Me lojërat që ka zhvilluar, ai mbetet zëvendësuesi i denjë i Veliajt, i cili është i dëmtuar.

MË PAK AKTIVI
Portieri i Pogradecit, Petrovski, ishte në një ditë të errët në takimin e djeshëm. Nëse futbollistët e Teutës do të ishin treguar më të saktë në disa raste, avantazhi i tyre mund të ishte akoma më i thellë. Pa nënvleftësuar aftësitë shënuese të futbollistëve vendës, Petrovski luajti me mangësi dhe në të shumtën e kohës mbeti i pasigurt në ruajtje të kuadratit të portës.

Lika: U zhbllokuam, besojmë te titulli
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Teutës, Hasan Lika, në konferencën për shtyp u shpreh mjaft i kënaqur për fitoren e arritur, por edhe për zhbllokimin e sulmit: “Ishte një fitore e merituar, në sajë të një loje më të mirë se kundërshtari ynë. Në antitezë, në ndeshjen me Kamzën gjatë së cilës na shoqëroi shterpësia në shënim, sot (dje) me Pogradecin futbollistët kanë konkurruar njëri-tjetrin se cili të shënojë. Më erdhi keq që lojtarët u prekën nga ‘sëmundja’ e euforisë dhe lëshuan shumë në pjesën e dytë. Kur rezultati shkoi 5-1, mesfusha e humbi organizimin dhe mbrojtja toleroi në kryerjen e detyrave. Kjo i dha mundësi kundërshtarit të na ndëshkonte edhe me dy gola të tjerë. Fitorja na nxit të besojmë deri në fund për titullin. Na ka mbetur edhe ndeshja e fundit me Kastriotin, ndaj të cilit do përpiqemi të bëjmë detyrën tonë. Kampionati ende nuk ka përfunduar dhe shpresat tona do të mbahen të gjalla deri në sinjalizimin e fundit të gjyqtarit”.

Çekiçi, vrer për gjykimin: Durrsakët i favorizoi Janku
Numri një i pankinës liqenore, Ylli Çekiçi, në përfundim të ndeshjes pohoi se gjyqtari Janku e favorizoi Teutën: “Mendoj se gjyqtari Janku e favorizoi Teutën që në fillim me atë penallti fantazmë që dha. E kontestoj dukshëm atë 11-metërsh, që u dha qetësinë e nevojshme psikologjike durrsakëve që në fillim të ndeshjes. Teuta është ekip i konsoliduar, me kualitete dhe nuk besoj të kishte nevojë për mbështetjen e gjyqtarit. Nuk mund t’i rezistoj mendimit se, vendësit fituan në sajë të gjykimit, ku ndihma iu dha që në hapje të takimit. Pastaj, kur loja shkoi 4-0, për mua u mbyll gjithçka. Minutat e mbetura u zhvilluan formalisht. Edhe tre golat që shënuam ne ishin më shumë ‘dhuratë’ e Teutës, të cilët u velën me shënimin e 5 golave. E pakuptimtë për mua mbeti edhe dalja me kartonin e kuq të Griseld Çekiçit, i cili shkelmoi një top të huaj që hyri në fushë. Ende kemi shpresa për të qëndruar në Superiore. Me Skënderbeun na mbetet vetëm një alternativë: fitorja”.
BUJAR QESJA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"