Teuta e gjymtuar, trajneri Martini ribën mbrojtjen për sfidën ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 11:50

Teuta e gjymtuar, trajneri Martini ribën mbrojtjen për sfidën ndaj Skënderbeut

Për herë të parë gjatë këtij sezoni Teuta do të përballet me një numër të madh mungesash dhe të gjithë prej kartonëve të marrë në ndeshjen e fundit në kampionat kundër Laçit, ku durrsakët humbën 2-0 në transfertë. Të dielën, kampionët në fuqi presin Skënderbeun, një ndeshje që do të zhvillohet në orën 13:45 në stadiumin e Kamzës, aty ku prej dy sezonesh është shtëpia e Kastriotit.

teuta

Mbrojtësit Adolf Selmani dhe Xhekson Ferreira, si dhe mesfushorët Albano Aleksi e Reuben Akuah, nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Edi Martini.

Në Laç u ndëshkua me të kuq vetëm braziliani Xhekson, ndërsa tre titullarët e tjerë plotësuan numrin katër të tyre, që të detyrojnë të mungosh një takim.

Natyrisht mungesa e katër titullarëve në takimin ndaj Skënderbeut ia ka prishur planet Martinit, i cili në ditët e fundit ka provuar formacionin me ndryshimet që do të bëhen.

Pavarësisht disa momenteve jo të mira, në klub ekziston besimi që ekipi do të rikthehet te fitorja. Edhe në të shkuarën, durrsakët kanë treguar që dinë të rikthehen.

Skuadra ka punuar më së shumti me anën taktike dhe në ndeshjen e Kupës ndaj Korabit, Martini provoi lojtarët që mendon se mund të jenë titullarë kundër Skënderbeut.

Një lajm i mirë për stafin është rikthimi nga dëmtimi i mesfushorit Asion Daja, i cili prej ditësh është bashkuar me grupin. Lojtari kryeqytetas rikthehet në momentin e duhur dhe do të jetë titullar të dielën.

Duke pasur parasysh që mungojnë dy mesfushorë shkatërrues si Aleksi dhe Akuah, në dispozicion për këtë rol janë vetëm Daja dhe Beqja.

TITULLARËT – Edhe pse Martini ka një tjetër seancë stërvitore në dispozicion, ai e ka në kokë tashmë formacionin kundër Skënderbeut. Në portë pritet që të luajë si zakonisht Pano Qirko, ndërsa ndryshimet e mëdha janë në mbrojtje. Todorovski do të luajë në krahun e djathtë, ndërsa Idrizaj në të majtë.

Në qendër të mbrojtjes do të rreshtohen Ivanoviç dhe Kotobelli. Me skemën 4-2-3-1, dyshja para mbrojtjes do të jetë me Emiliano Vilën dhe Dajën.

Në rolin e fantazistit do të jetë Kallaku, ndërsa nga krahët e sulmit Lorenco Vila dhe Koubemba.

Në majën e repartin ofensiv do të luajë maqedonasi Gjeorgiev, por kandidat potencial për një fanellë titullari është edhe Ildi Gruda dhe Silvioz Zogaj, të cilët sa herë kanë luajtur kanë treguar veten.

Ndaj Skënderbeut kampionët do të kërkojnë me çdo kusht rikthimin te fitorja.

FOR

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"