Teuta e “gjymtuar”, pa 4 titullarë për sfidën ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2021 | 9:00

Teuta e “gjymtuar”, pa 4 titullarë për sfidën ndaj Skënderbeut

Teuta do të luajë më 21 nëntor ndaj Skënderbeut, një ndeshje mjaft e rëndësishme. Fitorja është detyrim për skuadrën e Martinit, por nuk duhet shmangur fakti se blutë shkojnë në këtë sfidë me 4 mungesa.

TEUTA

Aleksi, Selmani, Xhekson dhe Akuah nuk do të jenë pjesë e skuadrës për këtë sfidë për shkak të kartonëve të verdhë, të marrë të gjithë në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, e humbur me shifrat 2-0. Lajmi i mirë është se Emiljano Vila do të jetë gati.

Ai nuk luajti ndaj Laçit sepse ndjeu shqetësime në këmbë. Trajnerit Edi Martini do t’i duhet të mendojë formacionin pa gjysmën e titullarëve, problem aspak i vogël, me korçarët, që vijnë nga një fitore 2-1 ndaj Kukësit në javën e fundit.

I kushtëzuar, trajneri Martini do t’i japë mundësinë disa lojtarëve, që në këtë nisje sezoni nuk kanë pasur mundësinë të luajnë e të tregojnë vlerat në fushë.

“Lufta” për titull mbetet e ashpër dhe humbja në ndeshjen e fundit ndaj Laçit i ka shtuar “dhimbjet e kokës” Teutës.

Fakti që është një ndeshje në transfertë, por edhe e vështirë, mungesat kanë ndikimin e vet, rezultatet jo aq të mira në dy ndeshjet e fundit, do t’i bëjnë ato 90 minuta në “Niko Dovana” shumë delikate.

ECURIA – Në një sezon ka momente, ku gabimet marrin një dimension tjetër. Për shembull, barazimi në Shkodër apo ai ndaj Kastriotit më 31 tetor nuk ishte “një grusht në stomak” për Teutën, madje mund të konsiderohej edhe si një pikë e fituar e jo dy të humbura për mënyrën si shkoi ndeshja në fund.

Të dielën rëndësia e ndeshjes ishte në një tjetër shkallë dhe humbja nuk ishte “paqja”, që duhej të synonte Teuta, sepse fitorja ishte rruga e vetme për të ndezur “flakën” te durrsakët. Kjo nuk ndodhi dhe ka një ndjenjë zhgënjimi tek i gjithë ambienti.

“Djemtë e detit” për herë të 2-të në 2 ndeshjet e fundit nuk kanë arritur të fitojnë. Teuta ka lëshuar pikë edhe më herët gjatë kampionatit, si p.sh. humbja me Tiranën apo ajo me Dinamon në nisje, por në këtë pikë të kampionatit nuk duhet që kjo skuadër t’i tolerojë vetes dhurimin e 4 pikëve, duke luajtur mirë.

Ky sezon po rezulton si një prej edicioneve me më shumë ekuilibër në dekadën e fundit, nuk ka një ekip superfavorit dhe duke qenë se diferencat janë të pakta, hapësira për të gabuar është ngushtuar shumë për kampionen në fuqi. Stafi teknik u ka dhënë dy ditë pushim lojtarëve. Më pas, nisin përgatitjet për ndeshjen me Korabin në Kupë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"