Teuta do që të likuidojë Egnatian për të qenë e qetë/ 3 pikët mbyllin llogaritë me “Play-Out”-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2022 | 13:57

Teuta do që të likuidojë Egnatian për të qenë e qetë/ 3 pikët mbyllin llogaritë me “Play-Out”-in

Teuta luan sot në orën 16:45 në stadiumin “Niko Dovana” një prej ndeshjeve më delikate të sezonit për vetë situatën ku ndodhet në renditje.

TEUTA 1

Përballja me Egnatian, rivalin direkt për vendin e tetë, që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore, merr vlera të dyfishta, pasi një fitore mbyll të gjitha llogaritë.

Pra, nëse sot “djemtë e detit” arrijnë të marrin tri pikë, atëherë përfundimisht zgjidhet edhe dilema e skuadrës që do të jetë në “play out”.

Aktualisht, durrsakët janë gjashtë pikë më shumë se Egnatia dhe nëse shkojnë +9 tri javë para përfundimit të kampionatit, sigurojnë gjithçka, pasi edhe sikur të humbin çdo takim deri në fund dhe njëkohësisht rrogozhinasit të fitojnë, sërish janë këta të fundit që mbeten në vendin e tetë.

Në tri takime të luajtura deri më tani, dy herë ka fituar Teuta dhe një herë Egnatia, duke favorizuar në këtë mënyrë durrsakët në duelin e ndeshjeve direkte. Në këto kushte, takimi i sotëm merr një rëndësi të madhe dhe fitorja qetëson ekipin e Renato Arapit tri javë para fundit, për të parë më pas nga vendet e sipërme të tabelës.

Teuta është gjashtë pikë e larguar nga vendi i tetë, por po kaq pikë ka më pak edhe nga Kukësi që ndodhet i katërti.

SITUATA – Barazimi ndaj Tiranës në javën e kaluar ka ngrohur jo pak ekipin durrsak, por trajneri Renato Arapi ka kërkuar nga skuadra që të qëndrojë me këmbë në tokë, pasi ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme.

Ndaj Egnatias mungesë e sigurt për Teutën është mesfushori Asion Daja, i cili vuan pas një tërheqjeje muskulore. Klubi blu ka vendosur heshtje për shtyp në prag të kësaj sfide dhe dje asnjë nga përfaqësuesit e ekipit nuk pranoi të fliste.

Ajo që shqetëson më shumë Arapin për formacionin antiEgnatia është Lorenco Vila, i cili rrezikon të mungojë sërish pas dëmtimit që pësoi para ndeshjes me Tiranën.

Atmosfera në ekip në prag të ndeshjes është shumë e mirë dhe te të gjithë ekziston dëshira e madhe që ecuria e mirë të vijojë me fitore ndaj Egnatias.

Arapi ka kërkuar më shumë përqendrim, veçanërisht në fazën mbrojtëse, aty ku shpesh që ekipi ka gabuar, duke pësuar gola të evitueshëm. Nga ana tjetër, sulmuesit Daci dhe Hebaj po kalojnë një moment të mirë dhe stafi pret shumë nga të dy.

TEU

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"