Të bindur se është favorizuar ekipi kundërshtar, klubi i Kategorisë së Parë shpall “non grata” Enea Jorgjin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2019 | 13:36

Të bindur se është favorizuar ekipi kundërshtar, klubi i Kategorisë së Parë shpall “non grata” Enea Jorgjin

Apolonia-Lushnja, ndeshja kryesore e javës së dytë në Grupin B të së Parës, u mbyll me fitoren e lagunarëve. Përtej rezultatit, ishte një ballafaqim që tregoi shumë në aspektin sportiv. Nuk ka rëndësi nëse ka qenë humbje e merituar apo e pamerituar për Apoloninë, por në mënyrë të padiskutueshme ishte fitore e merituar e Lushnjës.

cass

“Jepi Qesarit atë që i takon Qesarit”. Lushnja nuk u kontraktua asnjëherë për rezultatin, nuk u ndikua nga emocionet, lojtarët e saj harxhuan pak energji, kaluan në avantazh dhe pastaj qëndruan në pozita pritëse.

E lejuan Apoloninë ta qarkullonte më shumë topin, duke u mbrojtur mirë dhe duke menduar për “kurthin” e golit tjetër, pasi panë pasigurinë e tyre në mbrojtje. Plot dëshirë fierakët, lëvizën shumë, por hasën vështirësi për ta çarë prapavijën lushnjare. Barazuan dhe morën zemër, por lushnjarët u treguan ekspertë dhe në fund arritën fitoren. Ishte një tjetër “leksion” si fitohen ndeshje të tilla dhe Apolonisë duhet t’i vlejë kjo humbje.

JORGJI “NON GRATA” – Apolonia është e pakënaqur me gjykimin e derbit. Sipas burimeve të sigurta brenda klubit, fierakët, pasi kanë studiuar pamjet filmike të ndeshjes, janë gati të depozitojnë ankimimin zyrtar ndaj këtij gjyqtari, duke e shpallur madje “non grata”. Sipas klubit fierak, vendimet e kryesorit Enea Jorgji kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e derbit, duke favorizuar Lushnjën.

enea jorgji

Duke iu referuar pamjeve filmike, drejtuesit bardhejeshilë kontestojnë kartonin e dytë të verdhë për Ymerajn qysh në minutën e 50-të, çka solli zhbalancimin numerik në fushë. Dyshimi i fierakëve është se dy ndërhyrjet e vetme që Ymeraj bëri gjithë ndeshjen u ndëshkuan më karton të verdhë, pa asnjë këshillim për rastin e dytë, ndërkohë që janë kursyer në disa raste Canka dhe Mone për ndërhyrje më të ashpra, teksa edhe ata e kishin nga një të verdhë.

Tjetër rast flagrant, sipas drejtuesve të Apolonisë, është penalltia e padhënë ndaj Gjatës në minutën e 83-të, pas ndërhyrjes së parregullt të Brahimit. Tani mbetet të shihet nëse klubi fierak do ta bëjë faktike ankesën ndaj gjyqtarit Enea Jorgji, apo do të mbetet thjesht zemëratë e momenteve pas humbjes së derbit.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"