Te Besa i druhen mbijetesës, Meçja apel ekipit: Fitore ose “play out”, duhet të zgjedhim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2022 | 23:55

Te Besa i druhen mbijetesës, Meçja apel ekipit: Fitore ose “play out”, duhet të zgjedhim

Që përballja me Butrintin të merrte kaq vlera në këtë moment, askush nga Besa nuk e kishte besuar. Por ja që verdhezinjtë i bënë llogaritë gabim dhe jo më kot Dorjan Bubeqi “qante” atë trepikësh me Maliqin. Në prag të javës së 27-të, stafi teknik i bën llogaritë me kontigjent gati të plotë.

flavio mecja

Themi kështu, pasi në dyshim nëse do të luajë apo jo është vetëm mesfushori Adhjari. Për ta fituar këtë sfidë, detyra kryesore u mbetet sulmuesve që do të jenë në fushë. Flavjo Meçja e ka të qartë këtë dhe jo vetëm që premton maksimumin, por i jep edhe një apel shokëve.

“Bubeqi na e bëri të qartë dhe ne analizë, por edhe ne e dimë që ‘I zoti e nxjerr gomarin nga balta’. Këtu mbërritëm falë nënvlerësimit që i bëmë disa ekipeve. Tani jemi po ne që duhet thjesht të korrigjojmë veten e të bëjmë mirë atë që dimë e mundemi në fushë”, tha fillimisht për “Panorama Sport” sulmuesi. Po a është Besa psikologjikisht e penalizuar në këtë rast? Ka presion grupi para kësaj sfide? Për autorin e 5 golave, aspak:

mECJA

“Nuk mundet një ekip si Besa të jetë nën presion ndaj një kundërshtari si Butrinti. Ne jemi Besa dhe duhet e do ta tregojmë këtë në fushë. Nëse kemi gabuar, kjo nuk do të thotë se s’kemi grup e mundësi për të mundur sarandjotët. Përkundrazi, gjykoj se i kemi të gjitha mundësitë dhe do të fitojmë. Kërkohet vetëm që secili prej nesh të vlerësojë maksimalisht ndeshjen e të jetë vetvetja. Kemi aq kualitete e përvojë në grup, sa jo Butrintin, por të mundim këdo në Kavajë. Ndaj as që e diskutoj fitoren. Kam folur edhe me shokët dhe të gjithë janë të bindur te fitorja”.

Ndërsa Besa, kur kanë mbetur edhe 4 javë e gjykon kështu këtë sfidë, duhet thënë se edhe Butrinti e ka anti-Besën “trenin” e fundit për të mos rënë një kategori më poshtë. Thënë ndryshe, do të luhet një ndeshje e fortë, por kavajasit kanë më shumë cilësi në ekip dhe nuk do të lejojnë Butrintin t’i surprizojë aspak.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"