Tare, sherr me mbrojtësin e Romës në parking pas derbit. I ndau policia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2017 | 12:15

Tare, sherr me mbrojtësin e Romës në parking pas derbit. I ndau policia

Derbi i Romës në Kupën e Italisë është mbyllur të martën me Lacion që është larguar triumfuese nga “Olimpiko” pasi ka siguruar biletën për në finalen e turneut. Por sigurisht që një përballje kaq e nxehtë nuk mund të mbyllej pa incidente. Nëse janë evituar ato në fushë apo në tribunë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për pas ndeshjes, ku protagonistë janë bërë mbrojtësi i Romës, Rudiger dhe Igli Tare.

Antonio Rudiger

Antonio Rudiger

Ngjarja ka ndodhur në parkingun e stadiumit, kur Rudiger sapo kishte hyrë në makinën e tij bashkë me brazilianët Emerson, Peres dhe Gerson. Sipas dëshmitarëve që kanë treguar gjithçka për “Il Tempo”, në ato momente pranë makinës kalonte Tare, i cili po shkonte qetësisht drejt automjetit të tij, ndërsa Rudiger i ka thënë diçka.

igli tare

Mbrojtësi i ka folur në gjermanisht Tares, i ndërgjegjshëm se drejtuesi shqiptar i Lacios e njeh në mënyrë perfekte këtë gjuhë, meqë ka jetuar dhe luajtur atje për 7 vite. Tare i ktheu përgjigje menjëherë, ndërsa Rudiger doli nga makina duke nisur një përplasje të fortë verbale në gjermanisht me tone të larta. E vetmja gjë që dëshmitarët kanë kuptuar në ato momete ishte thirrja “hajdut” në italisht nga mbrojtësi i Romës ndërsa situata u tensionua ndjeshëm.

Por siç ndodh zakonisht pas ndeshjeve të tilla, në parkingun e stadiumit ishte një prani e ndjeshme forcash rendi të cilat kanë bërë të mundur që palët të mos përplaseshin edhe fizikisht. Gjithçka ka përfunduar me largimin e romanistëve.

lulic rudiger

Rudiger ka qenë një personazh qendror në derbi gjatë këtij sezoni, duke provokuar herë pas herë lacialët. Ai fillimisht dha një intervistë duke deklaruar se nuk e njihte fare si skuadër, duke ndezur derbin gjatë të cilit Strotman lagu me ujë në fytyrë Kataldin dhe nisi një zënkë të madhe në fushë.

roma lacio

Pas atij dueli, Luliç nuk u kursye me frazën “Rudiger shiste çorape në plazh, tani bën si fenomen”, duke përfunduar i dënuar nga komisionet disiplinore, ndërsa Tare i doli i në mbrojtje. “Ishin fjalë të thëna pa u menduar mirë, të nxitura nga ndonjë batutë e tepruar e Rudiger”, tha ai. “Sqarimi” me këtë të fundit, duket se është bërë të martën në parkingun e stadiumit “Olimpiko”. Tani të gjithë presin me padurim episodin e radhës në derbin e kampionatit më 30 prill.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"