“Tani te Laçi e kam më të lehtë se vjet”, Vukiçeviç: Më kënaq skuadra, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2022 | 9:55

“Tani te Laçi e kam më të lehtë se vjet”, Vukiçeviç: Më kënaq skuadra, por…

Laçi, ashtu si në sezonin e shkuar, e nis kampionatin nën drejtimin e trajnerit Dejan Vukiçeviç. Vjet tekniku malazez qe i pafat dhe u largua pa u mbyllur faza e parë, por këtë edicion pritet që të jetë një histori tjetër. Ka qenë vetë trajneri Vukiçeviç që e thotë këtë gjë, i cili në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para premierës me Teutën jep edhe arsyet e optimizmit të tij. 54-vjeçari pohon se tani e njeh më mirë ambientin dhe klubin, por nuk lë pa përmendur me listë në dorë lojtarët e larguar, që patjetër ishin baza e suksesit të Laçit të sezonit të shkuar. Vukiçeviç deklaroi se merkatoja është e hapur, por i gjithë fokusi i tij është te ndeshja me Teutën. Vukiçeviç është i kënaqur me ekipin, por pohon se duke qenë se grupi është krijuar rishtas, ka ende vend për punë dhe përmirësim.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

Si e prisni aventurën e dytë në krye të pankinës së Laçit?

Unë e kam pranuar ofertën e Laçit me shumë kënaqësi e entuziazëm dhe jam i lumtur që jam kthyer këtu. Kur u largova nga Laçi, lashë disa miq për gjithë jetën. Ndaj, thirrja për të qenë këtu është shumë e rëndësishme për mua. Kthimi në punë është një gjë e madhe për mua. Do të thotë shumë dhe për këtë jam shumë i lumtur. Unë tashmë e njoh klubin, të gjithë njerëzit, si funksionon dhe ndaj e kam më të lehtë se vitin e kaluar.

A shikoni diferenca mes skuadrës që keni tani dhe asaj të sezonit të shkuar?

Skuadra është shumë e ndryshme nga viti i kaluar dhe me shumë lojtarë të rinj. Pra, jemi një ekip ndryshe nga vjet.

Cili nga lojtarët e larguar ju mungon më shumë?

Janë të shumtë lojtarët që ishin këtu vitin e kaluar dhe që janë larguar. Këtu mund të përmend Lushkjen, Shehun, Deliun, Malotën, Ignjatoviçin, Velian, Zarubicën, Guindon, Zulfiun dhe Sherrin. Realisht janë shumë të larguarit.

Cila është gjendja e skuadrës përpara ndeshjes hapëse të kampionatit me Teutën?

Jam i kënaqur me ekipin. Kemi lojtarë të mirë, por na duhet pak kohë. Kemi ende një grup që nuk është saktësisht në nivelin që na duhet dhe ky është problemi ynë kryesor tani. Por pak nga pak, duke punuar, ekipi do të ngrihet dhe forcohet e do të jemi shumë të kënaqur me grupin që kemi. Aktualisht disa lojtarë nuk janë gati për të konkurruar. Ata kanë nevojë për kohë për të qenë më mirë fizikisht.

A prisni ndonjë përforcim tjetër nga merkatoja, e cila mbyllet në fund të muajit?

Tregu është i hapur dhe nuk e dini nëse do të ketë oferta apo nëse kemi mundësi të nënshkruajmë me dikë. Për momentin, shqetësimi im është ndeshja me Teutën dhe kjo është e vërteta. Nuk mendoj se çfarë mund të ndodhë në merkato.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"