Takaj për trukimet: Duan të na destabilizojnë, nuk rrezikojmë asgjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2017 | 9:59

Takaj për trukimet: Duan të na destabilizojnë, nuk rrezikojmë asgjë

Pas njoftimit të FSHF-së në lidhje me çështjen e dënimit të Skënderbeut, ku do të nisë hetimi i ndeshjeve të dyshuara nga Komisioni i Etikës, ka reaguar dje për “Panorama Sport” vetë presidenti i klubit korçar, Ardjan Takaj. Ky i fundit ndien
keqardhje që, sa herë Skënderbeu është në një moment të mirë, dalin në skenë gjëra që duan ta stabilizojnë klubin. Megjithatë, Takaj sqaron se Skënderbeu nuk rrezikon asgjë. Madje, ai bën edhe një apel për Komisionin e Etikës.

Takaj ne stadium

“Natyrisht që jemi në dijeni të kësaj dosjeje që është dorëzuar në FSHF për t’i kaluar Komisionit të Etikës. Nuk ka sekret këtu, pasi kjo është diçka transparente dhe për më tepër që të gjitha mediat janë në dijeni. Ne jemi të qetë për atë që do të ndodhë në vijim, pasi e themi me bindje të plotë se Skënderbeu nuk rrezikon asgjë.

Kemi marrë informacionet e duhura, aq sa mund të marrë një klub konform të gjitha rregullave dhe mendojmë se gjithçka është normale dhe nuk ka vend për shqetësim. Është një dosje, mbi të cilën është dhënë një vendim i argumentuar nga CAS-i dhe duke qenë se tashmë e ka në dorë FSHF-ja për ta analizuar përmes Komisionit të Etikës, ne si klub jemi të hapur, madje bëjmë edhe një apel drejt këtij Komisioni dhe Federatës.

Ne kërkojmë që ndeshjet, të cilat janë të përfshira në atë dosje, që i janë faturuar Skënderbeut me pa të drejtë, të analizohen me shumë kujdes nga FSHF-ja dhe Etika, qoftë edhe me pamjet filmike, të cilat i kanë në dispozicion. Më pas, ato ndeshje të adresohen atje ku duhen adresuar, pasi nuk i takojnë Skënderbeut”, deklaroi Takaj.

Shqetësimi

Duke pasur parasysh edhe zhurmën që kjo çështje krijon, Takaj thekson se shqetëson disi lojtarët. “Natyrisht që të dëgjosh lajme
të tilla dhe një zhurmë të madhe që bëhet në media, sigurisht që shqetësohesh. Në radhë të parë, shqetësohen futbollistët. Unë nuk dua të mendoj se bëhet me qëllim, por është fakt që në momentin kur Skënderbeu është rikthyer të jetë ekipi i zakonshëm,
me të cilin jemi mësuar të gjithë ta shohim, dalin këto gjëra që nuk i bëjnë mirë klubit dhe shpërqendrojnë lojtarët. Por, dua të them se jemi sërish të angazhuar për të vijuar rezultatet pozitive deri në plotësimin e objektivit sezonal”, përfundoi presidenti i Skënderbeut.

Ndërkohë, kujtojmë që në njoftimin e FSHF-së, ndër të tjera, citohej: “Pas ardhjes zyrtarisht të vendimit të arsyetuar të CAS-it,
praktika i ka kaluar menjëherë Komisionit të Etikës, i cili do të ndjekë hapat procedurale për hetimin e ndeshjeve të dyshuara të Skënderbeut”.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"