Superkupa ndaj Dortmundit, Ançeloti: Nuk luajmë në sulm, s’jemi në formë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2017 | 10:59

Superkupa ndaj Dortmundit, Ançeloti: Nuk luajmë në sulm, s’jemi në formë

Në prag të finales së Superkupës, ku do të ndeshen Bajerni i Mynihut me Borusian e Dortmundit, trajneri italian Karlo Ançeloti ka folur përpara gazetarëve, në konferencën për shtyp. Ai ka dhënë opinionin e tij lidhur me të dëmtuarit si dhe ka zbuluar se bavarezët ende nuk janë në formën e tyre më të mirë.

ancelotti

A është skuadra në formë për finalen e madhe?

Sikurse e kam thënë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Napolit, skuadra nuk është ende në formën e saj më të mirë, ndaj na duhet të punojmë për përmirësimin e saj. Çështja kryesore është balanca gjatë lojës. Për këtë shpresoj që në finalen e Superkupës të kemi përmirësim.

Si e shihni performancën në ndeshjet e kaluara?

Në dy prej sfidave, si me Liverpulin ashtu edhe me Milanin, nuk kemi luajtur aspak mirë dhe për këtë nuk jam fare i lumtur. Në ndeshjet e tjera, performanca ka ardhur në rritje dhe për këtë jam i kënaqur, pasi është një tregues i mirë për vazhdimësinë e skuadrës.

Çfarë mendoni për finalen e Superkupës?

Skuadra e Dortmundit është një skuadër shumë e mirë. Tanimë ata kanë një trajner të ri dhe me shumë mundësi edhe taktika të reja. Kemi fituar shpesh gjatë viteve të kaluara me verdhezinjtë, por ata janë shumë të fuqishëm dhe për këtë arsye mendoj se finalja do të jetë një sfidë aspak e lehtë.

A janë të gjithë lojtarët në formë për Superkupën?

Në finalen e Superkupës, Marko Fridl do të ketë mundësinë për të luajtur. Megjithatë, do më duhet të vendos përpara ndeshjes, pasi kemi edhe opsione të tjera si Rafinja në krahun e djathtë. Roben, Boateng, Nojer, Alaba, Tiago, Hames e Bernat nuk janë ende në gjendje të luajnë ndaj do t’i mungojnë skuadrës.

A i shihni disfatat si një problem të madh me Bajernin?

Aspak. Edhe kur isha trajneri i Realit të Madridit kemi patur një periudhë krize të tillë. Megjithatë, më pas arritëm të triumfonim në 22 sfida radhazi.

Cila do të jetë strategjia në finalen e Superkupës?

U kam thënë lojtarëve se pas sfidës për Superkupën, na mbeten ende rreth dy javë përpara nisjes së sezonit të ri të Bundesligës. Normalisht nuk do të heq dorë nga strategjia ime, por është e qartë që nuk mund të luajmë hapur. Do na duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe mjaft të zgjuar.

Çfarë mendoni për problemet në fazën përgatitore?

Kemi patur mjaft probleme sa i përket fazës përgatitore, megjithatë kemi dështuar në vetëm dy ndeshje. Dëmtimet e Tiago, Bernat dhe Boateng na kanë hapur mjaft probleme në skuadër.

Si është situata me Hamesin dhe Nojerin?

Manuel Nojer ka marrë pjesë në stërvitje dhe mendoj se edhe lojtarët e tjerë do të jenë gati për startin e sezonit të ri të Bundesligës. Mirëpo kjo nuk do të ndodhë me Bernat, pasi atij do t’i duhet të mungojë rreth tre ose katër muaj. Nuk jam një doktor, megjithatë Hames pritet të jetë gati në dy ose tre javë.

Po për Arjen Roben?

Roben është një lojtar fantastik, por kemi mjaftueshëm kualitet në skuadër për të zëvendësuar të dëmtuarit. Ai është duke u stërvitur me skuadrën herë pas here, duke dhënë shenja pozitive për rikthimin në fushë.

ANTON LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"