Superiorja përgatitet për VAR, dy presidentët e Federatave takohen me njëri-tjetrin. Zbulohet çfarë u diskutua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2020 | 18:18

Superiorja përgatitet për VAR, dy presidentët e Federatave takohen me njëri-tjetrin. Zbulohet çfarë u diskutua

VAR-i është teknologjia e fundit në futboll dhe tashmë po punohet që ai të aplikohet edhe në Shqipëri. Pikërisht presidenti i FSHF, Armand Duka ka thënë më parë se synohet që VAR të vendoset në ndeshjet e Superiores për sezonin tjetër.

duka-ademi-salihu

Ndërkohë që të njëjtën gjë po përpiqet të bëjë edhe Kosova. Ditën e sotme presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, ka pasur një takim me Dukën, ku është folur për VAR-in. Kosova dëshiron të ndjekë shembullin e Shqipërisë dhe do të ndjekin të njëjtën rrugë që vari të vendoset edhe në kampionatin kosovar, ndonëse kosto e tij është e lartë.

Postimi i FFK:

Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu kanë qëndruar sot për vizitë pune në Tiranë, ku janë takuar me presidentin e FSHF-së dhe njëherësh anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka. Temë e këtij takimi ishte aplikimi i VAR-it në Kosovë, duke pasur parasysh se Shqipëria qysh vitin e kaluar ka filluar negociatat dhe përgatitjet për aplikimin e këtij sistemi. FFK është duke punuar në drejtim të përshpejtimit të këtij procesi, në mënyrë që edhe në Kosovë VAR-i të fillojë të aplikohet në një afat sa më të shpejtë që është e mundur, teksa përvoja e FSHF-së në këtë drejtim mund të ndihmojë shumë. Në fakt, FFK do ta përdorë të njëjtin sistem si FSHF-ja, që është njëri prej sistemeve më të avancuara, e ku do të shfrytëzohet edhe përvoja dhe softuerët e tyre.

Kjo gjë do të mundësojë trajnimin intensiv të gjyqtarëve me sistemin VAR dhe do ta bëjë të mundur përshpejtimin e aplikimit të tij në kampionatin tonë. Duke pasur parasysh mungesën e infrastrukturës së nevojshme në stadiume, sistemi VAR në Kosovë do të jetë mobil, për çka FFK e ka edhe mbështetjen e UEFA-s. Gjithsesi, një sistem i tillë është jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe sipas vlerësimeve të FSHF-së ky sistem kap vlerën e mbi 1 milionë eurove. FFK është këmbëngulëse që ta realizojë këtë projekt, për çka do të kërkojë edhe fonde nga FIFA por edhe nga institucionet përkatëse të shtetit, duke pasur parasysh se një sistem i tillë tashmë është bërë i domosdoshëm për futbollin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"