Sulmuesi Marku i premton besnikëri Kastriotit: Dua minuta në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2018 | 18:31

Sulmuesi Marku i premton besnikëri Kastriotit: Dua minuta në Superiore

Taulant Marku ishte njëri ndër sulmuesit me të mirë të sezonit të shkuar në Kategorinë e Parë, ku arriti të zhvillojë paraqitje të mira me skuadrën krutane dhe të ishte kontribuues kryesor i ngjitjes në elitë. Krahas shumë asisteve, Marku arriti të shënojë edhe 10 gola, madje disa prej tyre me peshë.

Tashmë, për sulmuesin nis misioni “Superiore”, të cilin e ka provuar dhe më parë me skuadrën e Tërbunit. Ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar, por krutanët vështir se do ta lëshojnë, pasi kontrata i përfundon në verën e 2019-s. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për sezonin që lamë pas, si edhe synimet për të ardhmen.

taulant marku

Si ishte kampionati që sapo u mbyll me skuadrën e Kastriotit?

Ishte një sezon i bukur dhe kemi zhvilluar lojëra të mira dhe nuk e kemi lëshuar vendin e parë, që nga java e parë e deri në fund. Për asnjë moment nuk e kemi vënë në diskutim ngjitjen në Superiore.

10 gola dhe shumë asiste, jeni i kënaqur me paraqitjet e bëra?

Në fakt, unë nuk i kisha vënë vetes objektiva. Nuk e prisja që do të isha kaq vendimtar, pasi në skuadër ka pasur dhe plot futbollistë të tjerë që mund të bëjnë diferencën. Pavarësisht kësaj, për mua ishte një sezon pozitiv, por duhet të kisha shënuar akoma më shumë.

Tani që do të luani në Superiore, si e shihni ekipin në elitën e futbollit shqiptar?

Mendoj që do jemi skuadër serioze. Kastrioti ka gjithë këto vite që tenton ngjitjen në Superiore. Tani që e arritëm, mendoj që do bëhet një punë e madhe dhe nuk do e quaj surprizë mbijetesën, pasi e shikoj shumë reale. Kemi ekip shumë të mirë dhe me disa afrime cilësore, mendoj që nuk do e diskutojmë qëndrimin.

Po në aspektin personal?

E rëndësishme për mua është të më jepet mundësia të luaj në elitë dhe të kem besimin e trajnerit. Në qoftë se ndodh kjo, mendoj që gjithç- ka do të shkojë mirë dhe do shënoj dhe atje shumë gola.

Keni pasur oferta gjatë kësaj periudhe, edhe pse vazhdoni të jeni nën kontratë me klubin krutan?

Ka pasur disa interesime, por nuk dua të përmend emra skuadrash. Synimi im është të luaj në Superiore, pasi atje mund të shfaq më shumë vlerat e mija si futbollist. Premtoj se do të jap maksimumin në aspektin personal me fanellën e Kastriotit, me shpresën që do të arrijmë të jemi sa më gjatë pjesë e Superiores.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"