Sulmuesi i momentit, Guri tregon dëshirat: Sezoni perfekt për mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2018 | 21:17

Sulmuesi i momentit, Guri tregon dëshirat: Sezoni perfekt për mua

Sindri Guri është njeriu i momentit te Kukësi dhe në gjithë kampionatin shqiptar. Shkodrani ka shkëlqyer në javët e fundit, të cilat janë shoqëruar dhe me rezultate të mira për kampionët në fuqi, e nisur nga kjo për të kanë shkuar oferta majme në adresë të klubit. Me golin e shënuar në përmbysjen ndaj Flamurtarit, Guri arriti në kuotën e 12 golave dhe së bashku me Bakaj e Soue mban vendin e parë të klasifikimit së golashënuesve.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Guri tregoi ndjesitë dhe objektivat personalë dhe të ekipit. Pa dyshim që fitorja ndaj Laçit, fitimi i Kupës së Shqipërisë, vendi i dytë në kampionat dhe qershia mbi tortë fitimi i ‘Këpucës së Artë’, janë synimet e tij.

guri

Superpërmbysje në Vlorë, e prisnit që të ndodhte ashtu? Çfarë ndryshoi Kukësi që arritët suksesin?

Ishte me të vërtetë super përmbysje. Të them të drejtën nuk e prisnim, por mbas barazimit shpresonim që të shënonim dhe një gol tjetër dhe ia arritëm. Mendoj se erdhi nga vazhdimësia që kemi. Jemi të çliruar dhe luajmë siç dimë ne, natyrisht duke zbatuar dhe ndjekur udhëzimet e trajnerit, pasi është ai personi që drejton.

A ju motivoi takimi me presidentin dhe premio që ai ju premtoi para ndeshjes?

Presidenti ndikon gjithmonë pozitivisht tek ekipi. Ai gjithmonë na motivon në mënyrën që ai di.

Gol dhe fitore, superecuri në aspektin personal, por dhe në atë të ekipit, mendoni se ky është sezoni më i suksesshëm i juaji?

Pa asnjë dyshim që ky është. Do doja dhe ta mbyllnim me fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe vendin e dytë. Dëshiroj që të dal unë golashënues. Çdo gjë do ishte perfekte pastaj.

Si ndieheni tani që jeni kthyer në protagonistin absolut të ekipit?

Jam shumë i kënaqur. I ndjen shumë më tepër ndeshjet dhe rezultatet kur je protagonist dhe kam më shumë përgjegjësi, gjë që e cila më ndihmon të rritem akoma më shumë. E di shumë mirë se çfarë duhet bërë. I di detyrat dhe detyrimet e mia. Kam marrë përsipër që të mbaj peshën e sulmit të Kukësit në shpatulla, natyrisht me ndihmën e të gjithë shokëve. Trajneri, drejtuesit dhe shokët e ekipit më kanë dhënë shumë besim, e unë me aftësitë e mia po bëj maksimumin për t’ua shpërblyer atë.

guri2-470x313

12 gola deri tani, besoni se do fitoni “Këpucën e Artë”?

Normalisht që besoj shumë dhe mendoj se do ia dal, por mbi të gjitha është suksesi i ekipit. Këtë parim ndjek gjithmonë, i cili është kryesori për mua.

Ishit në dijeni që dy menaxherë të huaj ju ndiqnin në tribunën e stadiumit të Flamurtarit?

Të them të drejtën, nuk isha në dijeni dhe tani po e marr vesh, por shpeshherë nuk e kam ditur që survejohem, pasi jam i përqendruar në fushë. Unë bëj atë që di, luaj, argëtohem, luftoj në fushë, e çdo gjë të mirë apo jo e bëj për veten time, për ekipin tim, e pastaj për të tjerët. Nuk jam i emocionuar, pasi dhe nëse do e dija të njëjtën gjë do bëja, pasi jam profesionist dhe nuk ndikohem nga faktorë të jashtëm, qofshin dhe për mirë.

Çfarë u bë me ofertën e Ganguan për ju, por dhe për ofertat e tjera. Çfarë po ndodh?

Nuk jam shumë i informuar për pjesën e ofertave se po merren njerëzit që merren me këtë punë dhe ua kam lënë çdo gjë në dorë atyre. Unë bëj atë që më takon të bëj në fushë. Kur të vijë koha, çdo gjë do saktësohet dhe sqarohet.

Si e shikoni ndeshjen me Laçin, do tentoni të gjitha për gjithçka që në takimin e parë, pra, do kërkoni ta mbyllni kualifikimin?

Këtë gjë do e vendosë trajneri, por unë them të ikim vetëm për fitore dhe mendoj se do ia dalim. Pastaj, strategjitë i bën trajneri. I kemi të gjitha mundësitë, jo vetëm të kalojmë më tej, por të fitojmë dhe trofeun. Kukësi është i ndërtuar për trofe, mos të harrojmë që ne jemi kampionët në fuqi. Shkuan si shkuan dy fazat e para, të mbushura me gabime, por tani ne jemi kthyer në identitet, jemi kthyer Kukësi që njohin të gjithë, e mendojmë vetëm për suksese.

Për çfarë frikësoheni më shumë nga ky takim?

Vetëm vetes tonë i frikësohem. Shpresoj të jemi në ditë të mirë dhe nuk na ndal askush. Kemi çdo gjë vetë në dorë.

Mbas asaj që po ndodh me Skënderbeun, po mendoni për Champions-in?

Nuk është mirë për futbollin shqiptar ajo që po ndodh me Korçën. Unë dhe ne nuk kënaqemi, madje na vjen keq, por janë gjëra që s’na takojnë neve dhe nuk vendosim ne. Tani po mendojmë të marrim sa më shumë pikë sepse Champions-i ka kohë.

Trajneri Pakult ua “mori frymën”, stërvitje para ndeshjes dhe fill mbas saj. Mos ndoshta ky është sekreti i ecurisë së mirë të skuadrës?

Ky është vetëm një element i vogël, por natyrisht që ka shumë më tepër se kaq për ecurinë e mirë tonën. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"