Sulmuesi i Lushnjës premton kthesën, Canka: Boll me gabime, në shtëpi nuk falim më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2019 | 18:23

Sulmuesi i Lushnjës premton kthesën, Canka: Boll me gabime, në shtëpi nuk falim më

Lushnja do të mbetet në “Roza Haxhiu”. Pas humbjes me Pogradecin, skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla do të luajë sërish në shtëpi. Dhe këtë herë përballë do të kenë Turbinën e Cërrikut.

lushnja

Edhe pse mbeten në krye, fakti që është reduktuar diferenca me rivalët, i ka vënë para përgjegjësisë dhe lojtarët. Tashmë janë vetëm -2 nga kreu. Devolli dhe Pogradeci janë një kërcënim real.

GABIMET – Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni Mikel Canka shprehet se kthesa nuk do të vonojë dhe se ajo humbje me liqenorët në mes të Lushnjës do u shërbejë si mësim. “Duhet ta harrojmë ndeshjen me Pogradecin. E kisha thënë dhe e ritheksoj që kundërshtarët duhen vlerësuar. Në Lushnjë japin gjithmonë më të mirën e tyre. Kjo humbje duhet të jetë një mësim i mirë për takimet në vazhdim. Duke filluar që nga ndeshja e radhës me Turbinën.

Duhet të jemi më të qartë dhe më agresivë në lojën tonë. Nuk duhet lëshuar asgjë dhe përballë çdo ekipi. Tani na pret një tjetër përballje e vështirë, me një kundërshtar si Turbina, që po bën një paraqitje shumë të mirë. Nuk duhen lënë pikët, sidomos në fushën tonë. Kundërshtarët që po fitojnë kundër nesh, po i bëjmë pretendentë. E ritheksoj, humbja me Pogradecin le të bëhet një mësim i mirë”, është shprehur sulmuesi 32-vjeçar.

GOLAT – Shënuesi më i mirë i Grupit B u ndal ndaj Pogradecit. Kishte 6 javë radhazi që gjente rrjetën, por në 90 minutat e fundit “ngeci”. E vuan këtë fakt, e megjithatë rëndësi më shumë u jep pikëve të humbura dhe jo shifrave personale. “Vërtet u ndala në ndeshjen me Pogradecin, por goli mbetet pjesë e imja. Në çdo sfidë unë mundohem për të shënuar. Golat në të vërtetë më kënaqin, por rezultati dhe kryesimi i Lushnjës është shumë herë më i rëndësishëm”, përfundoi kapiteni.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"