Sulm për mbijetesën, Lika: Luftëtari im ka ndryshuar shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2017 | 9:50

Sulm për mbijetesën, Lika: Luftëtari im ka ndryshuar shumë

Gjashtë ndeshje pa fitore dhe katër humbje radhazi e kanë zhytur Luftëtarin në një krizë të thellë. Bluzinjtë renditen në vendin e parafundit dhe përballja e sotme ndaj Lushnjës shihet si pika e kthesës. Përballë një kundërshtari që konsiderohet si një prej rivalëve në luftën për mbijetesë, gjirokastritët do të kërkojnë trepikëshin e dytë në këtë kampionat. Ndërsa klubi u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë sot në stadium, Hasan Lika jep sinjale për ringjalljen e skuadrës.

lika hasan

“Shpresojmë shumë te fitorja, përmes një loje të bukur. Kam konstatuar se futbollistët janë tepër të motivuar për të triumfuar dhe ky angazhim është manifestuar gjatë të gjithë ditëve të stërvitjes. Loja e bukur nuk është se ka munguar edhe në takimet e mëparshme. Kemi qenë në një nivel të përafërt me kundërshtarin, por na ka munguar goli. Nuk kemi shënuar, por kemi pësuar. Dhe jemi ndëshkuar më shumë prej gabimeve tona, se sa prej meritës së ekipeve që kishim përballë.

Skuadra është e etur për të ndryshuar gjendjen dhe pret fitoren e radhës, për të mos u ndalur më në javët pasardhëse. Ndeshjet po i marrim një e nga një dhe tani kemi para Lushnjën. Na duhet ta kalojmë atë dhe kam besimin se do t’ia dalim. Kemi bërë shumë përmirësime nga dita e parë e ardhjes sime në drejtimin e kësaj skuadre. Kam kërkuar çdo ditë të bëhet më kujdes në lojë dhe të mos ketë lëshime në asnjë moment të lojës”, u shpreh fillimisht Lika.

Trajneri ka zbuluar edhe kërkesat që ka për ekipin, ndërsa evidenton se do një ekip të shpejtë dhe sulmues. “Përqendrimin më të madh e kemi kur ne kemi topin, por duhet të jetë e njëjtë edhe kur ai është në zotërim të kundërshtarit.

Në stërvitje kemi punuar shumë krahas përgatitjes fizike edhe për të qenë më ofensivë në lojë dhe shpejtësia në veprimet me topin të jetë më e madhe duke evituar pasin e gabuar. Do të luajmë me atë skemë taktike që ekipi e zotëron më mirë dhe, fakti që kam në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve, më jep mundësinë që të aktivizoj ata lojtarë që janë të nevojshëm”, përfundoi Hasan Lika.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"