Sukaj stërvitje “speciale” tek Laçi, presidenti Laska me sytë nga të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2018 | 16:55

Sukaj stërvitje “speciale” tek Laçi, presidenti Laska me sytë nga të rinjtë

Laçi i ka bërë një nisje të mirë kampionatit, duke grumbulluar 5 pikë në tri ndeshjet e para, që i ka pasur me kundërshtarë shumë të fortë. Ndërprerja e kampionatit i ka bërë mirë trajnerit Artan Mërgjyshi, pasi disa prej lojtarëve janë bashkuar me vonesë dhe në këto kushte kjo periudhë ka shërbyer si minifazë për ta.

laci

Një prej tyre është sulmuesi Xhevahir Sukaj, i cili po bën një përgatitje “speciale”, në mënyrë që të kapë sa më shpejt formën. Shkodrani vinte pas tri muajsh pa aktivitet, paçka se është stërvitur individualisht. “Panorama Sport” mëson se në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit, sulmuesi do të jetë pjesë e stolit, por gjithsesi kjo do të mësohet vetëm një ditë para sfidës. Sukaj po merr ngarkesë të plotë, ashtu si sulmuesi tjetër, kroati Ivan Galiç.

Edhe ky i fundit ka ardhur nga një periudhë e gjatë pauze dhe nuk është ende në formën e tij më të mirë. Si Galiç, ashtu edhe i riu Elvi Berisha, shihen si lojtarët që do të zëvendësojnë Myrto Uzunin. Largimi i tij ka hapur një gropë në krahët e sulmit dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse Berisha apo Galiç do të bëjnë që të mos ndihet mungesa e beratasit. Ndërkohë, këtë sezon drejtuesit e klubit janë shumë të fokusuar edhe te puna me skuadrat e moshave. Jo më kot, dy ditë më parë në ndeshjen e të rinjve, Iliria-Laçi 1-1, ka qenë prezent edhe presidenti Pashk Laska. Ashtu si ekipi i parë, edhe kurbinasit e rinj e kanë nisur mirë kampionatin U-19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"