Struktura e re angazhon ekipet, vetëm një ndeshje Kupe në baste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 13:30

Struktura e re angazhon ekipet, vetëm një ndeshje Kupe në baste

Kupa e Shqipërisë luan edicionin e 69-të dhe sivjet ky kompeticion zhvillohet ndryshe. Për shkak të bojkotit, FSHF ndryshoi strukturën e Kupës për të krijuar hapësira në përmbushjen e kampionatit me katër faza.

Kupa bastet5

Ky edicion është vendosur t’i luajë raundet me një ndeshje. Formula e re bën që skuadrat me pretendime në Kupë të jenë të motivuara dhe për t’u bërë parapritë surprizave, trajnerët do të hedhin në fushë lojtarët më të mirë. Kjo gjë pritet të ndodhë në raundin e dytë, që çuditërisht do të luhet në tri ditë. 6 ndeshje luhen sot, ndërsa Vllaznia-Elbasani do të luhet nesër, si dhe Laçi-Egnatia do të zhvillohet të shtunën.

Për këtë zhvendosje të dy çifteve nuk është dhënë asnjë shpjegim nga organizatorët, thjesht është publikuar kalendari. Struktura e re e Kupës është një “asist” për të mëdhatë dhe heqje mundësie për të voglat për të tentuar surprizën. Thuhet kështu, pasi me sistemin e ri skuadrat e mëdha janë pritëse, ndërsa të voglave u hiqet mundësia për të riparuar në fushën e tyre, pasi nuk ka ndeshje kthimi.

Duke qenë raund me ndeshje teke, kërkohet angazhim maksimal, duke mos rezervuar gjë. Skuadrat kanë avantazh në këtë raund se pas ndeshjeve të Kupës kanë kohë për të përgatitur sfidat e kampionatit. Pas këtij raundi vazhdimi i Kupës do të përcaktohet me short të lirë.

Kuotimet në baste – Kupa e Shqipërisë thuajse në çdo edicion ka prodhuar material dhe dosje në FSHF për ndeshje të dyshimta. Nga një vëzhgim i thjeshtë në internet, duke marrë të mirëqenë aksesin që të lejojnë kompanitë e huaja të basteve, shikohet se në përgjithësi ndeshjet e këtij raundi nuk kuotohen.

Kupa Bastet

Nga vëzhgimi del se koeficiente nga kompani legale bastesh jepen vetëm për ndeshjen PartizaniApolonia, që mbase konsiderohet si sfida më e besueshme për ta. Kjo nuk do të thotë që sfidat e tjera nuk kuotohen, por mbase thjesht nuk janë të aksesueshme përmes internetit.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"