Stërvitje pas portave, flet Gjyla: Sfidojmë hallet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2021 | 10:46

Stërvitje pas portave, flet Gjyla: Sfidojmë hallet!

Peripecitë nuk kanë të sosur për Lushnjën. Nëse gjatë ditëve të fundit kanë vuajtur prej reshjeve të shiut, dje iu desh që të stërviteshin pas portave. Sikur të mos mjaftonte kjo, Arbër Mone, Klahos Zani dhe Ervis Gjyla janë përgatitur veçmas. Në një deklaratë për gazetën “Panorama Sport”, Ilir Gjyla e quan obligim fitoren përballë Vorës, kundërshtar që e presin sot në shtëpi.

Ilir Gjyla Lushnja

“Është një ndeshje e radhës, por që duhet fituar. Ne të gjithë e dimë që pikët nuk merren se them unë. Fitohet duke luajtur futboll, duke shënuar gol dhe duke mos pësuar. Të mos bëjmë ato gabime që bëmë përballë Erzenit. Nuk e shikojmë Vorën për pikët që ka, në fund të fundit janë të barabartë me ne.

Fati njësoj si ne, ndoshta nuk e ka ndihmuar. Unë në përgjithësi i respektoj kundërshtarët edhe pse nuk i njoh. Jemi stërvitur gjatë javës me problemet tona, që janë bërë të ditura në ‘Panorama Sport’. Prapa portës, diku atje, diku këtu. Megjithatë, kemi bërë stërvitje. Është detyra jonë që të bëjmë stërvitje edhe me vështirësitë që kemi dhe kjo për të arritur rezultatin.

Mone nuk është rikuperuar ende, po ashtu edhe Zani. Do të mundohemi me lojtarët që kemi brenda. Jemi munduar t’i bindim futbollistët që vetëm fitorja është alternativë: duhet të triumfojmë.

E kemi obligim për vazhdimësinë. T’ia dalim edhe me një lojë të bukur madje”, deklaroi tekniku i lushnjarëve. Lushnja-Vora është programuar që të luhet sot në orën 13:30, në stadiumin “Roza Haxhiu”. Kjo është ndeshja e parë zyrtare midis këtyre dy skuadrave.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"