Steaua e Bukureshtit kërkon Qakën, presidenti: E pashë vetëm një ndeshje dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2017 | 18:46

Steaua e Bukureshtit kërkon Qakën, presidenti: E pashë vetëm një ndeshje dhe…

Steaua e Bukureshtit kërkon Kamer Qakën. Ekipi i njohur rumun është hedhur në sulm për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, i cili u grumbullua për herë të parë nga Kristian Panuçi për ndeshjen miqësore me Turqinë. Por, nëse për ne kjo ishte risi, duket se në Rumani Qaka është një lojtar i njohur dhe po kalon një moment shumë të mirë me ekipin e tij Poli Iasi.

Qaka2

Përpara disa ditësh në kampionatin rumun, Qaka u përball me Steauan e Bukureshtit dhe ishte një nga më të mirët në fushë. Diçka e tillë i tërhoqi vëmendjen presidentit të këtyre të fundit, Xhixhi Bekali, i cili u mahnit nga performanca e shqiptarit. “Fanatik” shkruan se Qaka është një nga objektivat e Steauas për merkaton e janarit, por fillimisht duhen bindur drejtuesit e skuadrës që zotëron kartonin e tij.

Për këtë çështje ka folur vetë Bekali, i cili ka vlerësuar maksimalisht shqiptarin, duke thënë se ishte një lojtar fantastik. Deklaratë, e cila i ka nxitur mediat rumune të shkruajnë se mesfushori 22-vjeçar mund të afrohet në ekipin që lufton për titullin kampion në Rumani.

BEKALI

Presidenti i Steauas e ka thënë hapur se pëlqen Qakën. “Më pëlqen shumë ai lojtar. Unë e kam parë thjesht në një ndeshje dhe kuptova që është shumë i mirë. Nuk e di nëse do ta transferojmë, por di të them që është një lojtar shumë interesant. Ne kemi shumë mesfushorë, por ai është i mirë”, tha Bekali.

Numri një i Steauas dhe drejtuesit e Poli Iasi kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje që në merkaton e janarit. Me Kombëtaren shqiptare, Qaka debutoi në ndeshjen me Turqinë dhe luajti disa minuta në pjesën e dytë, duke dhënë sinjale se është një lojtar shumë interesant dhe i vlefshëm për projektin që ka nisur trajneri Kristian Panuçi. Qaka luan si mesfushor shkatërrues dhe është shumë i fortë fizikisht.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"