Statistikat/ Mbrojtja duhet “blind”, Kukësi fiton vetëm kur nuk pëson gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2023 | 11:53

Statistikat/ Mbrojtja duhet “blind”, Kukësi fiton vetëm kur nuk pëson gol

Kukësi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes me Partizanin, që do të luajnë sot në “Kukës Arena”. Një sfidë delikate, që në kampin blu shpresojnë ta kalojnë me sukses, edhe pse vijnë pas një humbjeje si ajo ndaj një rivali direkt në Durrës përballë Teutës.

329597327_468994545289783_2584679950805720087_n

Hallaçi i ka idetë e qarta për ta kaluar këtë pengesë, me një mbrojtje të fortë dhe hermetike dhe cinizmin në sulm. Të paktën këtë gjë është përpjekur të injektojë te lojtarët tekniku i bluve, i cili e nisi aventurën e tij si “timonier” pikërisht në ndeshjen e fazës së kaluar ndaj Partizanit, ku skuadra u mund, por dha shenja “jete”. Për Kukësin, fakti që luajnë në shtëpi, edhe pse përballë një skuadre pretendente, fitoren e kanë detyrim, pasi janë ende në zonën “e ftohtë” të klasifikimit dhe çdo rezultat negativ në vijim vë në diskutim edhe mbijetesën.

MBROJTJA – Duket se fitorja e Kukësit është e lidhur ngushtësisht me mbrojtjen. Jo më kot, kur erdhi në krye të pankinës verilindore, trajneri Rrahman Hallaçi kërkoi të riparonte prapavijën dhe në njëfarë mënyre bëri ndryshime dhe gjeti ekuilibrat e duhur në skuadër. Ndaj Partizanit shpresat e Hallaçit janë te ky repart, me besimin se në fund sulmuesit do të gjejnë mundësinë për të shënuar qoftë edhe një gol për të marrë tri pikët.

SHIFRAT – Po t’u referohemi shifrave në rastet kur kuksianët kanë fituar në shtatë takime gjatë këtij sezoni, bie në sy se blutë në gjashtë raste kanë arritur të marrin tri pikët kur nuk kanë pësuar gol. Kjo gjë ka ndodhur dy herë ndaj Laçit, më pas me Bylisin, Erzenin, Tiranën dhe Kastriotin. Me pak fjalë, arrijnë të shënojnë të parët dhe më pas dinë të mbrohen mirë për të ruajtur deri në fund avantazhin. Në të vetmin rast kur skuadra ka fituar dhe njëkohësisht ka pësuar, është ai ndaj Egnatias pak javë më parë në fushën e këtyre të fundit, duke e kthyer ndeshjen në favorin e tyre dhe dalë në fund me tri pikë shumë të rëndësishme. Në atë sfidë shënuan Ndreca dhe debutuesi Delimedac, e cila deri-diku u cilësua edhe si ndeshja e kthesës.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"