STATISTIKA/ Vetëm 24 gola të pësuar në 50 ndeshje, mbrojtja e Tuhelit është një… bunker

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 15:32

STATISTIKA/ Vetëm 24 gola të pësuar në 50 ndeshje, mbrojtja e Tuhelit është një… bunker

Ulja e tij në stolin e Çelsit në vend të Frenk Lampardit ndryshoi historinë e bluve të Londrës vitin e fundit. Tomas Tuhel preu të martën shiritin e 50 ndeshjeve në stolin e londinezëve dhe dhuroi në “Stamford Bridge” një tjetër natë magjike për t’u mbajtur mend: fitorja 4-0 kundër Juventusit ishte suksesi i 32-të i teknikut gjerman në stolin e skuadrës (11 barazime, 7 humbje).

CELSI

Bilanci pasurohet me 81 gola të shënuar, 24 të pësuar, ndërsa në 31 ndeshje porta është ruajtur e paprekur. Shifra me të vërtetë të jashtëzakonshme, të cilat gjatë sezonit të shkuar sollën Ligën e Kampioneve, Superkupën e Europës dhe aktualisht edhe kreun e Premier Ligës në “Stamford Bridge”.

Nga 24 golat që ka pësuar Tuhel në këto 50 ndeshje, pesë ia ka shënuar skuadra e Uest Bromuiçit, ndërkohë që asnjë trajner tjetër në historinë e elitës së futbollit anglez nuk ka pësuar më pak gola, pasi ka arritur këtë shifër ndeshjesh. Pas këtij rekordi renditet ekipi i Brajtonit (34 gola të pësuar në 35 ndeshje), me Liverpulin (39 gola në 41 ndeshje) dhe Mançester Sitin (40 gola në 49 ndeshje) që qëndrojnë shumë më poshtë.

Edhe skuadra e Zhoze Murinjos në sezonin 2004-‘05, e cila konsiderohet si mbretëresha e mbrojtjes së Premier Ligës, nuk e thyen këtë rekord, sepse në total pësoi 27 gola në 50 ndeshje në total. Kampionët e Europës i shkaktuan Juventusit të martën humbjen e tyre më të thellë në “Stamford Bridge” në Ligën e Kampioneve, e cila ishte gjithashtu më e rënda e bardhezinjve në të gjitha kompeticionet që prej vitit 2004. “Ishte një ndeshje shumë e bukur për të qenë e 50-ta.

Të shënosh kaq shumë gola kundër një skuadre që di të mbrohet kaq mirë është një arritje e jashtëzakonshme”, u shpreh tekniku gjerman pas fitores që preu biletën e kampionëve të Europës në 1/8-at.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"