“Titulli i parë i Romës kaloi nga Tirana”, rrëfehet djali i Naim Kryeziut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 21:58

“Titulli i parë i Romës kaloi nga Tirana”, rrëfehet djali i Naim Kryeziut

Tirana, Shqipëria, për Romën nuk mund të kujtohet vetëm 25 maji i këtij viti kur fitoi finalen e Ligës së Konferencës. Është për t’u treguar edhe një pjesë e kampionatit të parë të fituar në vitin e largët 1942, që nis nga ai vend. Është historia e Naim Kryeziut, i mbiquajtur “Shigjeta e Tiranës”.

Kryeziu

“Shigjeta”, sepse në rolin e tij në fushë ai ishte një mesfushor i krahut të djathtë dhe në vitin e parë me verdhekuqtë ishte ndër lojtarët kyç të trajnerit Alfred Shafer. Ai luajti 24 ndeshje, duke shënuar 6 gola në kampionat. Golashënuesi i tretë më i mirë në skuadër pas Amadeit që shënoi 18 dhe Panto me 12 gola. Dhe të mendosh se ai kishte ardhur në Itali vetëm tre vjet më parë. “Ishte mësuesi i tij i edukimit fizik, roman dhe romanist, që e dërgoi te klubi i Romës. Kështu, ai e gjeti veten duke bërë një provë: e morën shpejt, gjatë testit ai u përplas dhe i ndërhyri fort Guido Masetit.

marko kryeziu

Marko Kryeziu, 62 vjeç, djali i Naim Kryeziut i cili aktualisht është i angazhuar në fushën e teknologjisë së informacionit. Ai rrëfen disa kujtime që ka transmetuar nga babai në lidhje me titullin kampion të Romës në 1942-shin

Një lojtar që ishte një legjendë për të, të cilin e kishte parë dhe lexuar vetëm në revistën ‘Calcio Illustrated’ dhe që tre vjet më vonë do të ishte kampion i Italisë me të”, thotë djali i Naimit për faqen zyrtare të klubit të Romës. Marko Kryeziu nuk e ka parë dhe përjetuar sezonin 1941-1942, por kujtimet janë të gjalla në kokën e tij, pasi janë kujtimet e transmetuara nga babai i tij me kalimin e kohës. “Pastaj e kam takuar pothuajse gjithë ekipin e atij sezoni”, thotë ai. Marko, 62 vjeç, është më romanist se kurrë, “një fitore ose jo e Romës ndikon në humorin tim gjatë javës”.

Ai punon me një projekt inovativ, pasi ka qenë prej kohësh në fushën e teknologjisë së informacionit: “Ne përpiqemi të rikuperojmë energjinë nga trafiku i automjeteve për ta shndërruar në energji elektrike. Një ide e çmendur, por me të cilën u dashurova në një çast”.

Si ratë aq shpejt në dashuri me Romën…?

Për mua ishte një rrugë e natyrshme, me babain tim. Duhet të them që ky ndërgjegjësim ka ardhur me kalimin e kohës. Ai ka qenë gjithmonë i respektuar dhe i admiruar nga tifozët, nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga klubet e ndryshme ku ka qenë edhe pasi u largua nga Roma. Ai ka qenë edhe trajner i Romës, mes viteve 1963 dhe 1965. Dhe në ato vite ka edhe një rekord të veçantë, në pesë ndeshje radhazi nuk u mposht kurrë. Ka disa fakte, në këtë kuptim, që mund të përmenden, për ta bërë të qartë se sa shumë e donin dhe çfarë personi ishte Naim Kryeziu.

Le t’i tregojmë…

Njëra daton pak a shumë në vitet ‘70. Babai më çoi në stadium, ishim në radhë për të marrë një biletë. Në një moment, duke pritur, Mauricio Sensi, menaxheri historik i klubit të Romës, e njohu dhe i tha: “Çfarë po bën këtu?” “Duam të blejmë vetëm një biletë për të parë Romën”. Me pak fjalë, ai mendoi se Naimi nuk i detyrohej atij për biletën dhe ashtu ndodhi. Naimit gjithashtu i bëri shumë përshtypje ngrohtësia e popullit romanist gjatë 80-vjetorit të klubit të Romës.

Ku ishte i ftuar dhe në festën me të gjithë protagonistët e tjerë të së shkuarës…

Ashtu është. Ai ishte futbollisti më i vjetër në moshë në mesin e të pranishmëve në “Olimpico” atë ditë. Kur u larguam, ishim unë, babai dhe motra ime, ndërsa po bëheshim gati të kthenim makinën në “Via dei Gladiatori”, na ndaloi një punonjës parkimi dhe na pyeti: “Ti je Naim Kryeziu?” “Po”, tha babai.

Ai u afrua dhe tha: “A mund të të përqafoj?” Kjo tregonte se sa e donin njerëzit dhe sa e respektonin për atë që kishte dhënë në fushë. Isha me babain tim kur shkova për herë të parë në stadium kur luante Roma. Vërtet prekëse. Ashtu si kur fola dikur me Fabio Kudiçinin.

Me çfarë rasti?

Ishte festa e parë e kompanisë në “Hall of Fame”, në vitin 2012. Edhe në ato rrethana kishte pak nga të gjithë të mëdhenjtë. Ndër këta Losi dhe De Sisti, të cilët i kisha takuar dhe që ishin trajnuar nga babai im, në sezonin e Kupës së Italisë që ai fitoi në 1964. Pastaj pashë Kudiçinin, ish-portierin e famshëm. Nuk kisha pasur kurrë mundësi të flisja me të, pasi ai ka jetuar gjithmonë në Milano. U prezantova, ai ndaloi, buzëqeshi dhe tha: “Kryeziu, zoti i madh. Njeri i denjë”. Gjëra të bukura, që mbeten në zemër.

Megjithatë, me Amedeo Amadein, marrëdhënia ka qenë gjithmonë vëllazërore…

Pikërisht. Ata kanë qenë gjithmonë miqtë më të mirë. Ata shkuan edhe në Napoli së bashku. Kur filluan karrierën e tyre si trajnerë, babai ishte ndihmësi i tij. Dhe ka një gjë, në veçanti, që nuk mund të rri pa e thënë që ka të bëjë me ata të dy.

Çfarë?

Ata kishin tri vite diferencë në moshë. Babai ishte i vitit 1918, ndërsa Amadei i vitit 1921. E megjithatë, kur ata u larguan nga jeta, kjo diferencë kohore mbeti e paprekur. Babi në 2010, Amedeo në 2013. Një fakt i pabesueshëm për mua.

Dy kampionë të Serisë A 1941-‘42, Kryeziu dhe Amadei. Çfarë kuptimi kishte ai kampionat për babain tuaj dhe për familjen tuaj?

Një ngjarje epokale, diçka e jashtëzakonshme. Ishte kampionati i parë i fituar në Qendër-Jug. Për babain kishte shumë rëndësi dhe gjithmonë më thoshte: “Një fitore e papritur”.

Skuadra ishte e fortë, por kishte një kimi të veçantë që përfshiu të gjithë grupin, me trajner Alfred Shafer, një trajner për të cilin ai ka folur gjithmonë shumë mirë. I dha menjëherë besim, duke filluar nga viti 1939 kur babai im erdhi nga Shqipëria, nga Tirana.

Tiranë 1939, Tiranë 2022. Një fill i veçantë për një tjetër fitore magjike për Romën…

Ai nuk do të ishte më i lumtur me një tjetër sukses sesa ky i fundit. Në fakt, ka ikur nga Tirana para luftës dhe më pas nuk është kthyer më. Familjen e krijoi në Itali, në Romë, nuk kishte pse të kthehej në atdhe. Në të vërtetë, nëse e mendoni mirë, mund të kishte një arsye…

kryeziu

Cilën?

Në stadiumin e vjetër të Tiranës – jo në “Arenën Kombëtare” që është ndërtuar tani, ku luajti Roma me Fejnordin, por tek i vjetri, quhej “Qemal Stafa”. Atëherë kishte dy, tri dhoma me një sërë kujtimesh, copëza gazetash, të lidhura me të, që do të kishte dashur t’i shihte. Nga ana tjetër, ai mbetet futbollisti i parë shqiptar në histori që ka lëvizur jashtë vendit.

Ndoshta edhe futbollisti i parë shqiptar që fiton një titull kampion jashtë vendit?

Besoj se po. Në këtë drejtim, dua të përmend një episod tjetër domethënës. Në prezantimin e librit të historianit Masimo Ici, i cili shkroi për atë kampionat, ishte i ftuar edhe zotëria i fotografuar me atë shenjën e famshme “Rroftë Roma, kampione e Italisë”. Një imazh ikonik i atij klubi.

Mbaj mend një takim prekës, babi ishte gati 90 vjeç, zotëria tjetër pak a shumë në të njëjtën moshë. Në mënyrën e tyre, dy simbolet e përjetshme të Romës së parë me tri ngjyrat në gjoks.

Përgatiti: KRISTI SEJATLLARI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"