TË JESH MARADONA!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 16:05

TË JESH MARADONA!

Është ringjallur shumë herë prej një jete të jetuar me tehun nën dhëmbë, në fije të perit dhe nuk po flasim për atë çfarë ofroi brenda fushës së lojës. Por këtë herë nuk ia doli! Dhe e gjithë bota qan më të madhin e të gjithëve, pse jo me një top në këmbë, apo me çdo gjë sferike, me të cilën Diego Armando Maradona dinte të bënte magjira.

Maradona56

Mishel Platini, njëri që e kishte sfiduar ndoshta më shumë se kushdo tjetër, por mbi të gjitha ishte një ndër ata personazhe që kishte një besim të madh, ndoshta edhe më shumë se ç’duhej te vetja, e pranonte botërisht se i vetmi përpara të cilit mund të përulej ishte Diego: “Atë që unë bëj me një top futbolli, Maradona e bën edhe me një portokall”. Populist, “Peronist”, “Kastrist”, adhurues i Çe Gevarës, shpirti i Buenos Airesit dhe zemra e Napolit.

Diego ishte ky, por edhe shumë më shumë sesa kaq, një personazh i pamundur për t’u përmbledhur në pak reshta, ndoshta ndër të paktit që nuk mund të qëndrojë brenda kontureve të paracaktuara, por gjithsesi një mit, një legjendë, për të cilin është shkruar pa fund nëpër libra, filma, seriale televizive dhe revista.

Diego Armando Maradona është një nga ata persona, që ashtu si Çe Gevara e deri te Xhejms Din, janë ndarë shumë të rinj nga jeta, por kanë mbetur dhe do të mbesin gjallë përjetë, duke qenë se edhe pas vdekjes janë shndërruar në personazheve letrare.

Diego-Maradona-dead-news-1364581

TË JESH DIEGO

E ka duruar këtë peshë me forcën e një miti, sepse të jesh Diego Armando Maradona nuk është e lehtë… Pa pasur kurrë frikë nga turma, nga njerëzit e tij, që shpeshherë edhe e kanë ngarkuar mbi vete si një dallgë… Ai ishte unik në gjithçka. Kjo, sepse Pele e jetoi epokën e tij kur teknologjia nuk ishte kjo e sotmja, nuk kishte mjaftueshëm imazhe, që të rinjtë e sotëm të kenë një memorie më të qartë, më të thelluar për një tjetër gjeni.

Jo si kampionët e kohëve të sotme, nga Mesit te Ronaldot, të cilët kanë pas vetes një regji marketingu. Jo vetëm për një klip, por qoftë edhe vetëm për një foto, të studiuar me detaje në tavolinë nga një staf kinematografik.

mARADONA

Ndërsa Maradona jo! Për të ka mjaft imazhe, pa fund kujtime, aq sa e gjen duke luajtur në një fushë të pisët të Açerras, duke rrezikuar kaviljet e tij për të ndihmuar një fëmijë të sëmurë, apo duke bërë nxehjen në Shtutgart, përpara finales së Kupës UEFA, duke bërë palexho dhe magjira me topin në këmbë, përpara një foshnjeje, të cilit dinte t’i dhuronte buzëqeshje vetëm me numrat që ai dinte të bënte me topin në këmbë.

Kaq mjafton që të mbetesh pa frymë, i mahnitur nga ato magjira dhe kënaqësira, ato çaste lumturie në gdhendura në mënyrë perfekte nga “Jetoje jetën”. Diego të tijën e përjetoi në mënyrë të thellë, duke u rrëzuar keq, por në të njëjtën kohë duke u ringritur pa pasur asnjëherë turp për të mbajtur kokën lart dhe për të treguar se ai ishte Diego Armando Maradona, në çdo rrethanë…

Diego Maradona

Zbriti në tokën e nëndheshme të varësisë, por gërmoi e luftoi për të dalë në sipërfaqe me dinjitet, duke mos u fshehur kurrë. Në këtë periudhë të komplikuar, pikërisht në këtë makth që pak do ta kishin përballuar, ai arriti të bëjë një tjetër prej kryeveprave të tij: ai diti sesi të bashkojë me të njëjtin ideal të gjithë fëmijët e tij, duke bërë të mundur që ata ta kuptonin se në fund ishin të gjithë vëllezër, të gjithë pjesë të një gjaku, të gjakut të Maradonës.

Maradona 60 vjetori

Dalma e Xhanina, Diego Fernando, Jana dhe napolitanin Diego JR. Edhe pse mamatë e tyre ishin të ndryshme, karakteri i tyre ishte i ndryshëm, ajo që i lidhte fort të gjithë ishte dashuria për një baba, që përpara sesa ta donin, e kishin falur… Pikërisht kështu, sepse vetëm fëmijëve të tij, Diego u pat kërkuar falje për jetën e shfrenuar.

Dhe ndoshta për këtë manifestim të tij të joperfeksionit, ajo që ai bënte në fushë dukej dhe realisht ishte hyjnore… Perfeksioni i tij në fushë bënte që njerëzit ta adhuronin, ta nderonin, madje t’i luteshin sikur të ishte një Zot. Dhe ndoshta Diego ishte një Zot, Zoti i futbollit…

ARGJENTINA SUBLIME

Fitoi një Botëror madhështor në 1986-ën, duke gjeneruar një literaturë si asnjë tjetër tokësor që dinte të godiste topin. Ai kompeticion ishte një simbologji e një lufte me Anglinë, për ishujt Malvinas, të fituar pikërisht ndaj “pushtuesve” (sipas Diegos), brenda 90 minutave në të cilat ai i goditi ata me “Dorën e Zotit” dhe me golin e shekullit.

Aty, ky njeri normal u shndërrua në një hero të përjetshëm, por mbi të gjitha i dha Argjentinës imazhin ndoshta më të lartë që ky shtet ka pasur ndonjëherë, që nga historia e pavarësisë. Dhe ndoshta, Botërorët e fituar mund të kishin qenë tre, duke menduar atë finale të humbur në “Italia ’90″, kundër Gjermanisë në Romë.

maradon

Apo akoma më e dhimbshme dhe e pamerituar ishte ai përjashtim nga Botërori “USA ’94″, me regji të FIFA-s, e cila pasi e përdori si imazh të tij e “fshiu”, si pasi u frikësua se mos Argjentina e tij mund të fitonte turneun.

NGJASHMËRIA ME NAPOLIN

Asnjë qytet nuk është identifikuar kurrë si Napoli me Diegon, ngjashmëri të mëdha në të gjitha kontradiktat e tyre. Familje dhe dashnorë! Bukuri dhe shpërdorim! Dashuri dhe drogë! Në sfondin e kësaj aventure mund të qëndrojë hakmarrja ndaj të fundmëve, lufta kundër padronëve, të futbollit dhe jo vetëm.

I paharrueshëm, refuzimi ndaj Juventusit… Diego jetoi qytetin në çdo skaj, por edhe nëntokën e sipërfaqen, duke zbritur në zonat më të errëta, por duke dhuruar në të njëjtën kohë periudhën më solare… Ndonjëherë e ndalonte makinën në një kthesë panoramike të Pizilopos, ku shijonte panoramën e gjirit të Napolit dhe falënderonte Zotin për atë fat që i kishte rezervuar:

Maradona

“Në Napoli jetova 7 vite, por në zemrën time ato vlejnë trefish, për lidhjen e fortë që pata me ata njerëz fantastikë”, – shprehej Diego. Po, pikërisht ai që solli dy tituj kampion, një Kupë UEFA, një Superkupë dhe një Kupë Italie. Trofe shumë të rëndësishëm që të gjithë, por që kurrsesi nuk mund të krahasohen me miliarda tonelatat me lumturi në zemrat e njerëzve të qytetit, e tifozëve të Napolit. Maradona ka fituar edhe Bokën, edhe me Barcelonën diçka, por asgjë nuk mund të krahasohet me intensitetin e asaj që përjetoi në Napoli.

Sot e kësaj dite ekziston një gjeneratë Diego Maradonash, tashmë mbi 30- vjeçarë, të cilët mund të shijojnë dhe adhurojnë ato gjeste, gdhendje, piktura, që jetojnë në çdo pjesë të qytetit. Nga një murales deri te altari, sepse në Napoli Maradona ishte, ka mbetur dhe do të mbesë më shumë sesa thjesht një futbollit. Prej vitesh, nëse një napolitan arrin të bëjë diçka madhështore në jetën e tij, përdorin shprehjen “në nivelin e Maradonës”.

3233080-Maradona_Napoli

Por edhe në sensin e kundërt, nëse dikush ofendon dikë, apo mburret, në 90 për qind të rasteve përgjigja e parë që do të marrësh kundër është: “Kush kujton se je ti, Maradona?”.

Dhe tashmë që është ndarë nga jeta, pasi ka nisur udhëtimin për t’iu bashkuar prindërve të tij të dashur, Donja Dolma e Don Diego, ndoshta për disa kohë nuk do të dëgjojmë më atë të gjithëditurit, që prej një jete e kanë gjykuar, madje e kanë dënuar. Tani e tutje, Diego do të vishet me faqet e përrallës së heroit që i dha një zjarr gjigant lumturie një kombi si Argjentina dhe një qyteti si Napoli. Nga dje e në vazhdim, legjenda dhe autori i “Dorës së Zotit”, iu bashkua “Duarve të Zotit”…

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"