“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, 35 vite nga emisioni legjendë i Shqarrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2018 | 21:08

“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, 35 vite nga emisioni legjendë i Shqarrit

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Ora, 15:00, potenzi ometri i radios ngrihet, thuajse e gjithë Shqipëria pranë radiove ka mbajtur frymën, dhe më pas sigla: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Ka qenë e diel, një mesditë vjeshte, 2 tetor 1983, plot tri dekada më parë. Një emision që i takon historisë së Radio Tiranës, që më 28 nëntor të këtij viti ka përvjetorin e 80-të të lindjes.

Një formulë moderne për kohën, e para e llojit e transmetimit radiofonik: me një studio qendrore që drejton emisionin, një fushë kryesore që komenton ndeshjen më të rëndësishme dhe të tjerë stadiume të lidhur drejpërdrejt me radiokronistët e tyre që mund të ndërhynin në momente kur realizohet një gol apo të tjera çaste të rëndësishme, si 11-metërsha, karton i kuq, etj. Vështirësitë, emocionet e ditës së parë, protagonistët në studio e në rrethe, zëri i spikeres që do t’i jepte startin emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

ahmet shqarri

Kuriozitetet i madh, njerëz të ulur pranë radios në shtëpi, nëpër lokale, taksi, berberë, autobuzë, restorante, kudo në çdo cep të vendit, në stadium me një transistor apo radio “Iliria”, madje deri jashtë kufijve, do të dëgjonin: “Të nderuar dëgjues………. “Çfarë ishte ky emision i veçantë, që do t’u ofrohej shqiptarëve për herë të parë? Si e kujton Ahmet Shqarri, zëri unik, ai që u fut në çdo shtëpi, ikona që e ideoi, krijoi dhe e drejtoi atë për njëzet vite, ndërkohë që në një përvjetor të tillë si ky 80-vjeçar i Radio Tiranës, ai i ka kushtuar asaj mbi tri dekada të karrierës së tij?

PËRJETIMI NËPËRMEJT RADIOS…

Mbyll sytë dhe jeton duke ëndërruar ndeshjen, që të vjen nga një zë që me kalimin e kohës do të bëhet miku yt. “… Në Shkodër, Vllaznia shënonn…”, “… Në Vlorë, Flamurtari dyfishon golat…” dhe adrenalina futet në qarkullim, aq më shumë kur të vjen një rezultat i papritur, i pabesueshëm e i drejpërdrejtë. “Nga njëra ndeshje në tjetrën” nuk është vetëm një faqe e shkëlqyer e radiokronikës sportive, por edhe një album kujtimesh, kur me veshin te radio çdo mesditë të së djelës, duke dëgjuar me ankth, merrje informacionin e shpejtë, modern e të saktë.

Nga zëri autentik i Anton Mazrekut, themeluesit të radiokronikës direkte, Ismet Bellova dhe Skifter Këlliçit, personalitete në këtë profesion, që me zërin e tyre kanë hyrë thellë në memorien e çdo shqiptari, duke hapur rrugën e transmetimeve sportive, më pas nëpërmjet Ahmet Shqarrit lindën dhe u rritën gjenerata të radiokronistëve shqiptarë që falë pasionit të tyre kanë bërë që të jetojmë me emocion çdo gol, duke ndier nga afër aromën e fushave sportive të futbollit dhe me kualitetin e tyre në rritje, kanë bërë që shqiptarët t’i përjetojnë ndeshjet, duke i “parë” nga valët e radios. “Nga njëra ndeshje në tjetrën” do të shënojë kështu fillimin e një formati radiofonik sportiv të ri, që në pak kohë u bë emisioni më i ndjekur në Shqipëri me një rekord dëgjuesish, si për asnjë emision tjetër radiofonik të asaj kohe.

ahmet shqarriii

PËR TË ARDHUR TE 35-VJETORI I KRIJIMIT

“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, emisioni radiofonik më popullor i RTSH-së, në fillim të këtij tetori mbush 35 vjet të krijimit të tij. Një përvjetor i rëndësishëm për historinë e rodikronikës sportive të vendit tonë, por edhe një rast për të rizgjuar e kujtuar emocionet e këtij programi të suksesshëm, i lindur falë intuitës brilante dhe largpamëse të Ahmet Shqarrit, krijuesit dhe padronit absolut të saj për dy dekada, një dëshmi reale, e papërsëristhme, ende e gjallë. Një ritual i nisur në fillim të viteve 80-të, ndonëse me një teknologji jo të sofistikuar, i është dashur të përballet me një sfidë të rëndësishme për të vazhduar me hapin e ritmin e kohës edhe me ndryshimet e mëdha të saj.

Radiokronistë të paharruar në atë start, por dhe shumë të tjerë, që duke ia rrëmbyer profesionin të “vjetërve”, e modernizuan formën e transmetimit, që nuk i ngjasonte asnjë tjetri. Nëpërmjet kujtesës, zërave, memories së atij që e ideoi dhe e themeloi, në këtë tregim na duhet të kalojmë nëpër rrugën e historisë së këtij programi, me aktorët kryesorë të tij, por edhe ata sekondarë, që i dhanë jetë këtij emisioni, e besnikëve të tij. “Mirdita të nderuar dëgjues…” dhe radiot që buçisnin në të gjithë Shqipërinë, duke transmetuar emocionet që vinin nga stadiumet, ku zhvilloheshin ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit.

ahmet shqarri radio

FILLIMI, NGA NJË STUDIO NË KATIN E TRETË

Nga një studio në katin e tretë të ndërtesës së Radio Tiranës, ka nisur ai emision historik i 35 viteve më parë. Përgatitje të shumta, tension, emocion për të gjithë, radiokronistë në pritje, teknikët, punonjësit e postës që nuk reshtin së telefonuari. Kështu merr rrugë “Nga njëra ndeshje në tjetrën” që javë pas jave të lindjes së tij, ka rritje, por si gjithmonë e “para” mbetet e paharruar. Puna fillonte që në fillim të javës, të hënën në orën 10:00, atëherë kur hapej perdja e startit, duke projektuar ndeshjet, hierarkinë dhe shkallën e vështirësisë së tyre, renditjen, vlerat teknike, peshën mediatike, interesimin, gjithçka e përshtatur në logjikën e të dëgjuarit për të programuar në detaje të dielën në mesditë, zërin përkatës që do të transmetonte atë ndeshje. Dhe puna bëhej më e ngjeshur kur ndeshjet e kampionatit apo kupave, zhvilloheshin edhe në mesjavë.

JEPET SINJALI, TË GJITHË NË VIJËN E PARË

Ora 15:00, në studion e transmetimit të gjithë janë në gatishmëri. Ahmet Shqarri ka vendosur kufjet dhe me gishtin vendosur mbi pulsantin që ndryshon ngjyrat bëhet gati të japë “komandën”, në pritje të lëshimit të sinjalit. Dhe ja çasti ka mbërritur, ai ka shtypur butonin e transmetimit direkt, dhe shprehja klasike e tij: “… Të nderuar dëgjues… linjën në fillim po e kalojmë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” për ndeshjen 17 Nëntori-Labinoti, në mikrofon Ismet Bellova, pastaj në Shkodër linja për Ymer Stërniqin për ndeshjen VllazniaLuftëtari, Vlash Pambuku në Berat për takimin TomoriPartizani, “Në Korçë linja për Vladimir Ngjelën për ndeshjen mes Skënderbeut dhe Naftëtarit; më pas, linja në Durrës për Bujar Qesjen për Lokomotiva-Besa dhe në Burrel, Avni Kërtuka, për 31 Korriku-Traktori”. Kështu ka filluar emisioni i parë, ndeshjet e para dhe radiokronistët e parë… I takon drejtuesit Ahmet Shqarrit të japë ritmin e në pak sekonda në valët e radios futet e gjithë atmosfera e ndeshjeve.

 

KUJTIMET QË VIJNË NGA POSTA QENDRORE…

Kur në vitet 70-të, nuk kishte as “Nga njëra ndeshje në tjetrën” dhe as lidhje radiofonike me rrethet, me një mungesë të tillë të plotë informacioni, të merrje rezultatet e ndeshjeve, duhej të prisje vetëm në mbrëmje vonë në “Rubrikën Sportive” të së dielës, ku mund të njiheshe me to. Deri atëherë, ka qenë Posta Qëndrore e Tiranës që informonte tifozët, të cilët mblidheshin pranë saj për të mësuar diçka, për të mbërritur në kohën kur në stadium filloi të komunikohej me altopartant në pushim të ndeshjes dhe në përfundim të saj: “Vini re, vini re, rezulatet në rrethe janë këto”. Për të ardhur te 2 tetori i largët 1983, kur iu dha fund këtij terri informativ. Do të kalonin 20 vite deri në dhjetorin e vitit 2003, kur do t’i jepte lamtumirën krijesës së tij më të dashur në karrierën gazetareske. “Nga njëra ndeshje në tjetrën” nuk do të ndalej për të vijuar me të tjerë protagonistë, ndërsa Shqarri do të vazhdonte në “Radio +2” me një tjetër emision radiofonik sportiv, që u bë po aq interesant në sajë të gjetjeve origjinale dhe krejtësisht profesionale prej tij.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"