Kur Xhorxh Best shikonte filma sovjetikë në Tiranë dhe Mehdin Zhega i mohonte Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 19:17

Kur Xhorxh Best shikonte filma sovjetikë në Tiranë dhe Mehdin Zhega i mohonte Botërorin

Nga UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Ajo ka qenë një përballje jo si të tjerat, e zhvilluar gjysmë shekulli më parë në Tiranë. Është ndeshja e fundit në grup, luhen 90 minuta vendimtare, cila do të shkojë në finalet e Botërorit “Angli ’66” ndërmjet Holandës, Zvicrës e Irlandës së Veriut. Takimi ka shumë interes, nisur edhe nga fakti se Xhorxh Best do të vinte e luante në kombëtarin kryeqytetas. Përballja e parë në Belfast, më 7 maj 1965, ishte mbyllur 4-1 për vendësit. Goli i Jasharit është i pari i realizuar për Kombëtaren kuqezi në një aktivitet zyrtar, në udhëtim. Për të ardhur te sfida e kthimit: 24 nëntor 1965, mesditë në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Irlanda e Veriut, arbitër është rumuni Sotir i FIFA-s. Një përballje e luajtur në një kohë të keqe, terren i rënduar, ajo do të jetë ndeshja e Zhegës, me golin spektakolar pas një “zhytjeje” tipike të tij në mes këmbëve të kundërshtarit, goditje me kokë nga porta e veriore, pas një harkimi të B. Rudit nga e majta. Ka shënuar, por edhe është dëmtuar rëndë në kokë pas përplasjes me shtyllën dhe barazim historik 1-1, që eliminon Irlandën e në Botëror shkon Zvicra, trajneri i së cilës ndodhej në stadium. Sigurisht që i shumëprituri i asaj përballjeje ka qenë edhe Xhorxh Best.

SHQIPERI IRLANDE E VERIUT (1)

Madje, ka një ngjarje tejet të veçantë për të dhe skuadrën. Nga mungesa e linjave ajrore, të limituara në ato vite, skuadrat qëndronin gjatë në hotel “Dajti”. Për të kaluar kohën, organizatorët vendës i programojnë skuadrës irlandezo-veriore të shkojë në një kinema të Tiranës për të ndjekur një film. Këtë fakt e gjejmë në librin “The Best” nga Xhorxh Best, ku ish-legjenda tregon: “Nga takimet, golat, udhëtimet me ekipin kombëtar do të veçoja atë në Shqipëri, në vitin 1965. Duke qenë se kishim disa ditë në Tiranë, na dërguan në kinema dhe me sa më kujtohet kemi parë një film sovjetik. Përkthimi ishte në gjuhën vendëse dhe ne nuk kuptuam asgjë”, shkruan Best. I lindur në Belfast më 22 maj 1946, ish-lojtari i Mançester Junajtid, kampion në Angli dhe në Europë me këtë skuadër, “Topi i Artë ’68”, ai është cilësuar ndër lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, idhulli i një bote sportive, tifozërie, i admiruar nga të gjithë, “playboy” i njohur për dashuritë e famshme me modelet dhe alkoolin, i konsideruar si i pesti i “Beatles” për nga mënyra si vishej, sillej, moda, si i pari futbollist që ka imituar grupin muzikor me flokët e gjata.

best

Me ndarjen e tij nga jeta më 25 nëntor të 2005-s (për koincidencë 40 vite pas ndeshjes së Tiranës), për shumë specialistë, bashkë me të kishte “vdekur” edhe numri 7. Edhe shqiptarët sportivë ai emër i kthen në vitin e largët ’65, më shumë se një gjysmë shekulli më parë, kur kanë pasur fatin të shohin nga afër Xhorxh Bestin e madh, në të mërkurën e 24 nëntorit 1965, ku një ditë më parë, ai e skuadra kishin qenë në një kinema të kryeqytetit, “Republika”, dhe ka ndjekur me ekran të ngushtë e bardhezi një film sovjetik të kohës. Maj-nëntor 1965, 55 vite më parë, Shqipëria do të ndeshej dy herë me ekipin e Irlandës së Veriut për eliminatoret e Botërorit “Angli ’66”. Dy herë përballë edhe me Xhorxh Bestin. E para në Belfast 7 maj 1965, Irlanda e Veriut-Shqipëri 4-1 (Krozan 17′, 31′, 61′, Best ’85 / Jashari 51′). “Golin Best e shënoi direkt nga goditja e këndit. Ishte një mosmarrëveshje midis meje e Deliallisit në vijën e portës”, kujtonte i paharruari Mikel Janku, portieri i famshëm në atë takim. Më pas sfida e kthimit: 24 nëntor në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Irlanda e Veriut 1-1 (Irvain 8′ / Zhega 77′). Ajo përballje ka disa detaje të rralla, që “Panorama Sport” i rikthen për lexuesit e saj: Stërvitjen e skuadrës përfaqësuese në Liverpul, gjatë qëndrimit në atë qytet, para mbërritjes në Belfast.

SHQIPERI IRLANDE (1)

Pastaj golin e Jasharit, i pari i realizuar për Kombëtaren tonë në një aktivitet zyrtar, në udhëtim. Për të ardhur në Tiranë, ku arbitër i takimit ka qenë rumuni Sotir i FIFA-s. I caktuar ta presë e shoqërojë ishte Vasil Toçi, ish-student e futbollist në vitet ’60 në Rumani. Madje, në një ndeshje i nxjerrë jashtë loje, i përjashtuar më pas përgjithmonë nga federata rumune për sjellje antisportive ndaj arbitrit Sotir. “Duke zbritur shkallët e avionit, kur më pa, më njohu, u befasua dhe i habitur për një çast, ai ndali. Ishte një koincidencë absolute, të ritakoheshim në një situatë ndryshe”, kujton Toçi. Pastaj kryevepra e Zhegës, e denjë për almanakët, tipike e stilit “zhegian”: zhytje në mes të këmbëve të kundërshtarit, goditje me kokë nga porta e veriore e “Qemal Stafës”, pas një harkimi të Rudit nga e majta. Gol spektakolar dhe barazim historik 1- 1. Dhe e treta, ka lidhje me Xhorxh Bestin. Nga mungesa e linjave ajrore, të limituara në ato vite, skuadrat qëndronin gjatë në hotel “Dajti”. Për të kaluar kohën, organizatorët vendës i programojnë skuadrës irlandezo-veriore, të shkojë në kinema për të ndjekur një film.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"